Osmani: Mësimi duhet të fillojë menjëherë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një konference për media ka thënë se mësimi në vend duhet të fillojë menjëherë.

Ajo pas takimit që pati me Këshillin e Prindërve, Këshillin e Nxënësëve, OJQ për mbrojtjen e fëmijëve, SBASHK-un dhe Asociacionin e Komumave të Kosovës tha se me të gjithë këta diskutuan për mundësitë për rifillimin e procesit mësimor nga e hëna e javës që vjen.

“E drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të lejohet. Duhet t’i bashkojmë forcat që të përimirësojmë cilësinë e arsimit me nxënësit në qendër të vëmendjes” – tha e para e shtetit.

Ajo tutje shtoi se vazhdimisht ka qenë në kontakt me Qeverinë e Kosovës për të diskutuar lidhur me këtë çështje dhe një gjë të tillë do e vazhdojë edhe nesër.

Greva e përgjithshme është duke u mbajtur që nga 25 gushti nga një pjesë e punëtorëve të sektorit publik, përfshirë këtu edhe një pjesë të personelit arsimor.

Sot gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media prezantuan një pako të re për të përballur inflacionin.

Në këtë pako kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarët publik për të cilët është thënë se do të ndahen nga 50 euro nga muaji shtator.

Tutje është thënë se kjo pako përfshinë subvencionimin e faturës së rrymës për ata që kursejnë energji elektrike, dyfishimin e asistencës sociale, 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, subvencionim prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat për tre muajt e parë dhe projektligji për punë publike për kompensimin e inflacionit për materiale ndërtimore dhe punë përcjellëse.