Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Paralajmërohet dhe kundërshtohet ndryshimi i vendimmarrjes në Odën e Avokatëve të Kosovës

Përplasjet në Odën e Avokatëve të Kosovës nuk kanë të ndalur.

Ditë më parë Kallxo.com raportoi për një incident mes kryetarëve të degëve të Odës së Avokatëve të Gjakovës dhe të Prizrenit.

Shkak i kësaj përleshjeje, sipas avokatëve, janë agjendat e propozuara për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Drejtues së Odës së Avokatëve, e si vazhdimësi e këtij rasti është edhe prononcimi i kryetarit të Degës së OAK-së në Gjakovë, Ergjyment Barbullushi.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Barbullushi pretendon se Behar Ejupi, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës dëshiron të ndërrojë sistemin e vendimmarrjes në OAK, e këtë e kundërshtojnë disa kryetarë degësh të Odës së Avokatëve të Kosovës.

Në postim, Barbullushi potencon se Ejupi planifikon të ndërrojë praktikën dhe të ulë kuotën e avokatëve në 1/3 e anëtarëve që duhet të jenë prezentë në votim gjatë vendimmarrjes.

Barbullushi deklaron se kjo praktikë është në kundërshtim me Statutin e OAK-së dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Lexoni nenin 96 të Statutit të OAK-së e  në çdo aspekt kjo pjesëmarrje me ma pak se gjysma  është edhe Prima facies në kundërshtim me Kushtetutën e Rep. së Kosovës”- thotë Ergjyment Barbullushi në postim.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e degës së Prishtinës, Nasuf Hasani, i cili gjithashtu tregoi se qëndron kundër kësaj praktike të re të vendimmarrjes.

“Ne jemi kundër sepse kemi të bëjmë me një agjendë që e kemi propozuar 4 degë, Prishtinës, Gjakovës, Pejës edhe Mitrovicës, do të thotë agjenda jonë i ka marrë 6 vota ndërsa agjenda e Behar Ejupit 4 pro, 4 kundër, as shumicën e thjeshtë nuk e ka marrë” – tha Nasuf Hasani.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Drejtësisë dhe kryetarin e OAK-së, Behar Ejupi, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli ata nuk kanë kthyer përgjigje.