Gjykimi për narkotikë - Foto: KALLXO.com

Avokatët e 8 të akuzuarve për narkotik kërkojnë marrëveshje për pranimin e fajësisë

Në Gjykatën e Gjakovës ishte paraparë të mbahej shqyrtimi fillestar kundër tetë të akuzuarve për mbajtje të paautorizuar të narkotikëve.

Paraprakisht avokati Teki Bokshi i propozoi Gjykatës që seanca e sotme të shtyhet për arsye se me prokurorin e çështjes dëshirojnë që të parashtrojnë kërkesë për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Me këtë propozim ishin të pajtimit të gjitha palët tjera në procedurë.

Prokurori i rastit Ali Uka duke mos e kundërshtuar propozimin shtoi se është i pajtimit që të hyjnë në negociata për marrëveshje për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve.

“Nëse kjo marrëveshje arrihet atëherë të njëjtën do t’ia prezantojmë Gjykatës”, tha Uka.

Andaj gjyqtari Shaqir Zika seancën e sotme e shtyu për muajin gusht, me qëllim që nëse arrihet marrëveshja për pranimin e fajësisë, atëherë nga ana e Gjykatës caktohet seanca e shqyrtimit të kësaj marrëveshjeje.

Bekim Haxhibeqiri, Donald Haxhibeqiri, Denis Lushi, Marinero Merdini, Egzon Haxhibeqiri, Fisnik Shllaku dhe Kreshnik Shllaku po akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarve dyshohet se u janë gjetur dy qese plastmase me narkotikë-kokainë me peshë 0.63 gram dhe 0.41 gram, e më pas janë gjetur dhe sekuestruar edhe 8.33 gramë narkotik të llojit kokainë, një peshore digjitale dhe një pjatë e qelqit për përzierjen e narkotikut.

Ndërsa Adhurim Shehu po akuzohet për veprën penale të dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Adhurim i ka ndihmuar familjarët e të akuzuarve duke iu kërkuar borxhet blerësve të substancave narkotike.

Bekim Haxhibeqiri po akuzohet edhe për veprën penale të mbajtjes së pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës, Bekim Haxhibeqiri, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion të cilat janë konfiskuar nga Policia.