Gjykimi ndaj të akuzuarve për drogë

Dosja e Prokurorisë - Babai me dy djemtë shisnin kokainë

Seanca gjyqësore ndaj Bekim Haxhibeqirit, i akuzuar për 0.5 gramë kokainë ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Gjakovës.

Prokuroria po akuzon Bekim Haxhibeqirin bashkë me dy djemtë e tij Dionis dhe Donald Haxhibeqirin, për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të drogës.

Ndërsa Adhurim Shehun Prokuroria po e akuzon për ndihmë në kryerjen e veprës penale të blerjes dhe shitjes së drogës si dhe Granit Xharrën për posedim të drogës.

Sot, nuk u mbajt seanca gjyqësore në të cilën parashihej të dëgjoheshin tre dëshmitarë, të cilët munguan, poashtu mungoi edhe i akuzuari Dionis Haxhibeqiri, i cili gjendej në Zvicër.

Prokurori Ali Uka, propozoi që seanca të shtyhet për shkak se nuk ka kushte ligjore, pasojë kjo e mungesës së të akuzuarit Dionis Haxhibeqiri dhe ndaj të njëjtit të lëshohet urdhër arrest dhe letër rreshtim vendor e ndërkombëtar.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Dionis Haxhibeqiri, avokati Genc Juniku, e kundërshtoi fletarrestin ndërkombëtar, me arsyetimin se nuk kanë të bëjnë me veprën penale të vrasjes apo terrorizmit, por me posedim të narkotikut.

“E kundërshtoi fletarrestin ndërkombëtar dhe i propozoi gjykatës që të bëjë veçimin e procedurës penale kundër të akuzuarit Dionis Haxhibeqiri”, deklaroi avokati Genc Juniku.

Ndërsa trupi gjykues i përbërë nga kryetari Shaqir Zika, Ilirjana Hoti dhe Myfera Hoxha, refuzuan propozimin për veçimin e procedurës, me arsyetimin se vepra penale është në bashkëkryerje dhe për të njëjtin lëshoi urdhër arrest dhe letër rreshtim vendor.

Derisa të sigurohet prezenca e të akuzuarit Dionis Haxhibeqiri, seanca e sotme u shty për kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës, në shtator të 2018-tës, të akuzuarit Bekim, Dionis dhe Donald Haxhibeqiri kanë shpërndarë, shitur dhe transportuar kokainë afër lokalit “Shekulli”, dhe Granit Xharra kishte marrë një sasi të kokainës nga Dionis dhe Donald Haxhibeqiri, e më pas gjatë bastisjes së shtëpisë se Bekim, Dionis dhe Donald Haxhibeqirit zyrtarët policor kishin gjetur 0.5 gramë kokainë.

Aktakuza thotë se Granit Xharra ka poseduar 0.2 gramë kokainë, të cilën e kishte blerë nga Dionis dhe Donald Haxhibeqiri në shumë prej 20 euro.

Ndërsa Adhurim Shehu po akuzohet se që nga arrestimi i Dionis dhe Donald Haxhibeqirit, kishte përcjellur veprimet e policisë e njëkohësisht kishte njoftuar Bekim Haxhibeqirin për t`i fshehur provat e veprës penale si dhe ju kishte përgjigjur kërkesave të përdoruesve të narkotikut duke i drejtuar tek i akuzuari Dionis Haxhibeqiri.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët kur të njëjtit ishin dënuar nga Gjykata e Gjakovës.

Gjakovë – Katër vite burgim dhe mijëra euro gjobë ndaj të akuzuarve për drogë dhe armë

.