1 muaj paraburgim për të dyshuarin për narkotikë

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një një muaji kundër të pandehurit P.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me qëllim të shitjes apo shpërndarjes pa autorizim ka poseduar substanca narkotike të llojit marihuana.

‘’Gjatë aksionit policor në Ferizaj, me 30 gusht 2023 fillimisht janë ndalur tre persona, në mesin e të cilëve edhe i pandehuri P.P., tek i cili është gjetur një sasi e narkotikëve të llojit marihuanë, e ndarë në katër qese në peshë prej 2.67 gram, ndërsa në lokalin ku punonte i pandehuri janë gjetur edhe tetë qese najloni me substance narkotike të llojit të njejtë me peshë 25.1 gram, një qese najloni me marihuanë me peshë 34.8 gram, një mulli për bluarjen e marihuanës, një pako dhe disa letra për mbështjellje të marihuanës’’ – thuhet në njoftimin e gjykatës.

Përmes këtij vendimi, palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.