Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Dosja: Vajza nga Prishtina u arrestua te dyert e Qeverisë për posedim droge

Një rast i pazakontë ishte regjistruar disa vite më parë në hyrje të Qeverisë së Kosovës.

Një vajzë, e cila ishte paraqitur te hyrja e Qeverisë për të kërkuar ndihmë për shkak të gjendjes së saj ekonomike, është arrestuar pasi Policia zbuloi se ajo kishte 14.2 gramë marihuanë.

Ngjarja është përshkruar në vendimin e Gjykatës, i cili është nxjerrë në fund të vitit 2022, në të cilin thuhet se vajza nga Prishtina është dënuar me 500 euro gjobë për këtë ngjarje.

Sipas aktakuzës, e akuzuara B.G. në mbrëmjen e 5 qershorit të vitit 2018 ishte afruar afër ndërtesës së Qeverisë për t’u ankuar.

Policët që po e ruanin Qeverinë atëkohë e kishin kontrolluar vajzën dhe në çantën i kishin gjetor 14.2 gramë narkotik.

Sipas Prokurorisë, gjatë këtij kontrolli në çantën e të akuzuarës janë gjetur qese me përmbajtje të substancës narkotike – marihuanë me peshë të përgjithshme 14,2 gramë.

Dosja e Gjykatës tregon se e dyshuara e ka  pranuar fajësinë.

Aktgjykimi është shpallur më 15 dhjetor të vitit 2022 nga gjyqtarja e vetme gjykuese Naime Krasniqi – Jashanica.

Kodi Penal parasheh se kushdo që pa autorizim posedon narkotik, substanca psikotrope apo analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim nga 1 deri në 3 vjet.

Mirëpo, dispozita pasuese përcakton se nëse i akuzuari kryen për herë të parë këtë vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.