Gjulin Rudoja - Foto: KALLXO.com

Hetuesi policor dëshmon se si i identifikuan të akuzuarit për narkotikë

Zyrtari policor A.B. dëshmoi sot në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin ndaj të akuzuarve për narkotikë Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa dhe Gjulin Rudoja.

Në seancën e së enjtes ai para trupit gjykues të përbërë nga Lutfi Shala – kryetar, Valon Kurtaj dhe Kujtim Krasniqi – anëtarë, deklaroi në detaje masat e fshehta që kishin aplikuar gjatë hetimeve për të akuzuarit Gjulin Rudoja dhe Gazmend Aliu.

Kujtojmë që tashmë i dënuari Gazmend Aliu ka pranuar fajësinë dhe ndaj tij është shqiptuar dënim unik prej 3 vjet e 6 muaj burgim dhe gjobë prej 10 mijë eurosh.

Hetuesi A.B. shtjelloi rastet e caktuara kur kishte arritur t’i identifikonte të pandehurit së bashku, raste të cilat ishin dokumentuar edhe me raporte vëzhgimi e që të njëjtat janë pjesë e shkresave të lëndës.

“Fillimisht i kemi pasur dyshimet për një të pandehur pastaj i kemi zgjeruar masat e fshehta edhe për persona të tjerë, përmes përgjimeve telefonike”- tha ai në seancë.

Ai ballafaqua edhe me pyetje nga mbrojtësi i të pandehurit Gjulin Rudoja, avokat Murat Paçarada, i cili me lejen e Gjykatës i dha për shikim dëshmitarit disa fotografi të cilat paraqisnin pamje të veturës e vendit ku dëshmitari e kishte vëzhguar të pandehurin Rudoja.

A.B. tha se të gjitha provat të cilat i kanë mbledhur i kanë dorëzuar Prokurorisë dhe që nuk kanë ndalur asgjë për vete.

Avokati Paçarada shprehu vërejtjet e tij lidhur me dëshminë e dëshmitarit duke i konsideruar vetëm si supozime.

Për seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohej edhe në cilësinë e të dëmtuarit dhe dëshmitarit A.E., por i njëjti sipas kolegëve të tij gjendet jashtë vendit.

Për këtë dëshmitar, prokurorja e çështjes Habibe Salihu propozoi që të lexoheshin deklaratat e të njëjtit të dhëna në Prokurori edhe në cilësinë e të dëmtuarit, edhe atë të dëshmitarit.

Ky propozim u kundërshtua nga mbrojtësit e të pandehurve, dhe u refuzua nga trupi gjykues i cili tha se ky dëshmitar – i dëmtuar do të ftohet dhe dëgjohet porsa të jetë në Kosovë.

Në fund të seancës palët mbrojtëse kërkuan nga trupi gjykues që të pandehurve t’u caktohet masë më e lehtë se paraburgimi në të cilin gjenden, por kërkesa u refuzua nga Gjykata me arsyetimin se ende ekzistojnë kushtet ligjore për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa.

Gazmend Aliu dhe Fatlum Abdullahu kishin pranuar fajësinë se kanë pranuar nga njëri-tjetri marihuanë, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale me prokurore të çështjes Habibe Salihu.

Pranimi i fajësisë për të akuzuarit e lartpërmendur është bërë me aktvendim në seancën e mbajtur më 20 qershor 2023, kur edhe është ndërprerë masa e paraburgimit për ta.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa, Gjulin Rudoja, ngarkohen me veprën penale të blerjes, shitjes, posedimit të narkotikëve.

I akuzuari Mexhaid Qerimi përveç narkotikëve, dyshohet edhe për sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri duke tentuar të arratisej kishte sulmuar policin, të dëmtuarin A.E., i cili kishte japë shenjë të ndalte automjetin me të cilin po lëvizte i pandehuri Qerimi.

I pandehuri Fehmi Mustafa dhe Mexhaid Qerimi akuzohen nga Prokuroria se kanë shpërndarë dhe transportuar narkotikë. Të njëjtit dyshohen se kanë pasur marrëveshje që narkotikët t’i transportojnë në Serbi përmes autobusëve “Deda Reisen”, të cilët janë në pronësi të të pandehurit Fehmi Mustafa.

Kurse, i pandehuri Gjulin Rudoja akuzohet nga Prokuroria se gjatë vitit 2022 në vazhdimësi ka shpërndarë dhe i ka shitur narkotikë të pandehurit Gazmend Aliu.

Fajësinë nuk e kanë pranuar 3 të pandehurit në këtë çështje Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa dhe Gjulin Rudoja.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 9 dhe 14 gusht.