Arkiv- Drogë e sekuestruar

Dosja e Prokurorisë së Gjilanit: U kap me drogë dy muaj pasi u dënua për të njëjtën vepër

Dy muaj më parë, Gjykata e Gjilanit e kishte dënuar me 13 muaj burgim nën dyshimet se ishte kapur me 15 kilogramë lëndë narkotike.

Mirëpo, Fuad Haxhiu nga Vitia ende pa nisur vuajtjen e dënimit është prangosur sërish.

Prokuroria e Gjilanit po pretendon se i njëjti është kapur sërish me drogë. Tash me mbi 1 kilogram marihuanë.

Për këtë arsye, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që ndaj Haxhiut të caktojë masën e paraburgimit prej një muaji.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri Fuad Haxhiu ka poseduar narkotikë në mënyrë të paautorizuar, në peshë prej një kilogram e gjashtëdhjetë e gjashtë gramë, e cila është gjetur në shtëpinë e tij.

Prokuroria po pretendon se i pandehuri drogën e kishte me qëllim shitjeje.

Në seancën e sotme, prokurori Shaban Spahiu duke e lexuar kërkesën për caktimin e paraburgimit tha se e njëjta është e bazuar në ligj.

“Pasi kemi pranuar kallëzimin nga Policia e Kosovës ne i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë çështje. Prokuroria ka vlerësuar se për një hetim të mirë ndaj të njëjtit duhet të caktohet masa e paraburgimit. Arsyeja qëndron në faktin se bëhet fjalë për një vepër që dënohet mjaft lartë. I njëjti nëse gjendet në liri mund të ndikojë në dëshmitarë, t’i asgjësojë provat etj. Ky i pandehur vetëm një muaj e gjysmë më parë ka qenë i dënuar për një vepër të natyrës së njëjtë penale ku i ishin kapur 15 kilogramë substancë narkotike. I propozoj Gjykatës që ta aprovojë këtë masë lidhur me caktimin e paraburgimit”, tha prokurori Spahiu.

Kurse mbrojtësi i të pandehurit, avokati Edison Simani, tha se e kundërshton kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

“Sa i përket bazave ligjore që i ka paraqitur Prokuroria në këtë kërkesë, konsideroj se nuk ka asnjë arsye të besohet se i njëjti nëse lihet në liri mund të arratiset dhe të pamundësohet që i njëjti të sigurohet dhe të sillet para Gjykatës. Konsideroj se nuk është përmbushur kushti ligjor për caktimin e paraburgimit. Po ashtu, nuk ka prova se i pandehuri do ta përsërisë veprën penale, ngase i njëjti vetëm në këtë rast është në kundërshtim me ligjin ngase vetëm aktgjykimet e plotfuqishme mund të merren si prova se një person e ka kryer apo jo një vepër penale. Me dërgimin e tij në paraburgim, kushtet e tij familjare do të vështirësohen sepse i njëjti është mbajtës i familjes dhe se është baba i 3 fëmijëve. I propozoj Gjykatës që ta refuzojë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit dhe në vend të saj të shqiptojë një masë më të butë”, tha avokati Simani.

I pandehuri Fuad Haxhiu e përkrahu fjalën e avokatit të tij duke mos shtuar diçka tjetër.

Gjykatësi Zyhdi Haziri në fund vendosi qe ta aprovojë kërkesën e Prokurorisë dhe të pandehurit i caktoi 30 ditë paraburgim.