Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti | Foto: MF

Avdullah Hoti Përmend një Portal Transparence

Teksa foli për buxhetin e vitit 2017 në një konferencë për gazetarë ku i pranishëm ishte edhe Isa Mustafa, ministri i Financave Avdullah Hoti përmendi themelimin e një portali që tha se do të shfrytëzohet për rritje të transparencës

“Me partnerët tanë ndërkombëtarë do të bëjmë themelimin e një portali të transparencës në Ministrinë e financave ku do të publikohen të gjitha të hyrat dhe të dhënat për shpenzimet e të gjitha organizatave buxhetore për t’iu mundësuar medieve, shoqërisë civile dhe qytetarëve që të prodhojnë raporte,” tha Hoti.

Kryeministri Mustafa buxhetin e vitit të ardhshëm e konsideroi si bazë të mirë për buxhetet e së ardhmes.

“Me këtë buxhet ne fillojmë të krijojmë një bazament më të fortë të flukseve financiare për buxhetet e ardhshme sepse rrisin investimet kapitale,” tha Mustafa.

Sipas Kryeministrit buxheti i 2017-ës prej 2 miliardë eurosh do të mundësojë fazën e fundit të përfundimit të investimit në rrugë, në mënyrë që pastaj të investohet tjetërkund.

“Ajo çka është më e rëndësishmja, me këtë buxhet ne thuajse i japim impulsin përfundimtar nisjes dhe përmbylljes së infrastrukturës rrugore dhe krijojmë kushte që buxheti në të ardhmen të destinohet më fuqishëm për fuqizimin e arsimit dhe fuqizimin e shëndetësisë,” tha Mustafa.

Ndërsa Avdullah Hoti në konferencë u pyet se a mjaftojnë paratë e ndara me këtë buxhet për nevojat e pensioneve të veteranëve.

“Për vitin 2017 ne kemi një dakordimtë përgjithshëm brenda koalicionit qeverisës dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar që të ndajmë një shumë prej 50 milionë eurove prej të cilëve 38 janë për veteranë të luftës dhe 12 për invalidë të luftës. Besoj që kjo shumë do të arrijë të përmbushë nevojat e kësaj kategorie,” tha Hoti.

Për pensionet e veteranëve të luftës në shtator, qeveria ndau para nga rezervat e buxhetit, ndërsa FMN-ja u shpreh e shqetësuar rreth shpenzimeve të mëdha për këto pagesa pensionesh.

http://kallxo.com/mbi-1-6-milion-euro-per-veteranet-e-vertete/

http://kallxo.com/shpenzimet-per-veteranet-shqetesojne-fmn-ne/

Hoti u pyet nga gazetarët edhe për buxhetin e Ministrisë së Ambientit, pasi kohëve të fundit ndotja e ajrit në Prishtinë ka arritur shifra shqetësuese.

“Në fushën e ambientit, arsimit, shëndetësisë dhe fushave tjera nuk është problem shumë buxheti, sa është efikasiteti funksinal në adresimin e atyre nevojave.Ministri i ambientit në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar ka prezantuar një plan detal për masat të cilat duhet të ndërmerren nga të gjitha institucionet në lidhje me ambientin,” tha Hoti.

KALLXO.com në nëntor shkroi për një aksion rreth ndotjes së ajrit në Prishtinë.

http://kallxo.com/kukulla-mesazhe-si-vetedijesim-per-ndotjen/