Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Shpenzimet për misionarët kosovarë në Francë, sa para u paguan për qiratë e rezidencave të tyre?

Paratë që janë nxjerrë nga arka e shtetit për t’ua hequr shpenzimet dhe për t’ua dhënë pagat dy misionarëve diplomatikë të Kosovës në Francë qëndrojnë pothuajse në shifra të përafërta në relacion me njëra-tjetrën. Por, ajo çfarë është e dukshme është se qiraja e rezidencave të ambasadorëve, duke u bazuar në standardin e jetesës në Paris dhe Strasburg, rezulton të mos jetë e ultë.

Kosova e ka në Francë një ambasadë dhe një Konsullatë të Përgjithshme. E para është e vendosur në Paris dhe udhëhiqet nga Mehdi Halimi, ndërsa e dyta është në Strasburg dhe drejtohet nga Lulzim Hiseni.

Për qiranë e rezidencës së ambasadorit Mehdi Halimi në Paris, nga buxheti i Kosovës janë dhënë 60 mijë e 144 euro në vit, apo mbi 5 mijë euro në muaj.

Hulumtimi në internet se a është jeta e shtrenjtë, e lirë apo mesatare në Paris na shpërfaq që qiraja mesatare për një apartament të pamobiluar në Paris është rreth 1599 euro. Kjo është pak më e ulët se qiraja mesatare për një apartament të mobiluar me dy dhoma gjumi që kap shumën 1725 euro.

Paga mujore e ambasadorit Halimi gjatë vitit të kaluar ishte 5 mijë e 207 euro e 72 centë, pothuajse sa qiraja e rezidencës ku jeton.

Për sigurimin shëndetësor të tij nga arka e shtetit janë dhënë 3 mijë e 711 euro e 12 centë, ndërsa shpenzimet për telefon kanë qenë mbi 1 mijë euro më pak se sigurimi shëndetësor, apo saktësisht 2 mijë 87 euro e 17 centë.

Drekat zyrtare të ambasadorit dhe misionit diplomatik në Paris kanë kushtuar 9 mijë e 77 euro 71 centë.

Ndërkaq, për shpenzimet për derivate të ambasadës janë dhënë 4 mijë e 1 euro e 20 centë.

Në bazë të observimit në internet në ueb-faqet që merren me koston e jetësës në Francë, konsiderohet që për një familje prej katër anëtarësh, kostot mujore të vlerësuara pa përfshirë qiranë janë 3,394.0 euro. Ndërkaq, kostot mujore të vlerësuara të një personi të vetëm janë rreth 950.3 euro.

Kostoja e jetesës në Francë është mesatarisht 8.8% më e ulët se në Shtetet e Bashkuara, ndërsa qiraja në Francë është mesatarisht për 50.1% më e ulët se në Shtetet e Bashkuara.

Rreth 400 kilometra nga Parisi gjendet Strasburgu, konsullatë të cilën e udhëheq Lulzim Hiseni.

Përpos Parisit që është kryeqendra e Francës, edhe Strasburgu është një prej qyteteve që shihet me interes për Kosovën për të pasur mision konsullor.

Qiraja e banesës së Lulëzim Hisenit për një vit është paguar me vlerë 29 mijë e 533 euro, apo rreth 2 mijë e 500 euro në muaj.

Kërkimi në internet në ueb-faqet për qiratë nxjerr në pah që një apartament i mobiluar në Strasburg jepet me qira mesatarisht për 744 euro në muaj. Në anën tjetër, një apartament i pamobiluar jepet me qira për mesatarisht 711 euro në muaj.

Edhe pse pagën mujore e ka më të ulët se ambasadori Mehdi Halimi, me vlerë 2 mijë e 997 euro e 60 centë, për Hisenin është paguar çmim më i lartë sigurim shëndetësor, saktësisht 14 mijë e 628 euro.

Për shpenzimet e telefonit janë paguar 524 euro e 45 centë.

Ndërkaq për shpenzimet për drekat zyrtare të misionit në Strasburg është shpenzuar më shumë se për ato në Paris, saktësisht 23 mijë 139 euro 55 centë. Kurse për derivatet janë shpenzuar 5 mijë e 135 euro e 60 centë.

Një nga synimet kryesore të Kosovës është anëtarësimi në Këshill të Evropës me seli në Strasburg.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë këshill më 12.05.2022. Ndërkaq, Komiteti Ministror i Këshillit të Europës në prill 2023, mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.