Komuna e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Komuna e Gjakovës fton organizatat për konsultime 'sot për nesër'

Komuna e Gjakovës ka publikuar një njoftim për konsultim publik, duke i ftuar organizatat joqeveritare për takim “sot për nesër”, pasi që lanë një afat shumë të shkurtë në mes të njoftimit dhe datës së mbajtjes së takimit.

Më 07.03.2024 Komuna e Gjakovës ka publikuar një njoftim në uebsajtin e tyre zyrtar, përmes të cilit kishte ftuar organizatat jo-qeveritare për konsultim publik në lidhje me grantet që do të shpërndahen.

Ftesa ishte bërë që OJQ-të të marrin pjesë në konsultim publik një ditë më pas, më 08.03.2024.

“Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport do të bëjë hapjen e thirrjes publike për subvencionim të organizatave joqveritare, programi i të cilave është fokusuar në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit” – thuhej në njoftim.

“Prandaj, ftoheni të merrni pjesë në Konsultim Publik i cili do të mbahet më datë 08.03.2024 me fillim prej orës 11:00”.

Zëdhënësi i Komunës së Gjakovës, Artan Haraqia, është arsyetuar se kanë probleme me uebsajtin e komunës dhe sipas tij, kjo është arsyeja që ka qenë kaq i shkurtë afati i njoftimit.

“Faqet ekzistuese po bartin probleme të mëdha me vete. Në rastin konkret disa materiale po dalin në sistem më vonë e disa tjera nuk po dalin fare ose po zhduken pas publikimit. Prandaj, nuk është vetëm ky njoftim por ka edhe njoftime e plot dokumente tjera që mund ta kenë këtë problematikë”– ka thënë Haraqia, edhe pse dokumenti mban datën e protokolimit 07.03.2024.

Komuna nuk ka ofruar të dhëna se sa organizata kanë marrë pjesë në këtë konsultim publik.

Në ndërkohë, sipas Udhëzimit Administrativ për Transparencë në Komuna, në takime të tilla konsultative, Komuna duhet që t’i njoftojë qytetarët apo grupet e interesuara të paktën dy javë më herët.

“Komuna përmes njësisë/zyrtarit për komunikim me qytetarë, njofton qytetarët së paku dy javë përpara mbajtjes së takimit publik”– thuhet në pikën 3 të nenit 11 të këtij Udhëzimi.

Njoftimi duhet të bëhet në uebfaqen zyrtare të komunës dhe rrjetet sociale, në mediat e shkruara dhe elektronike ose në tabelat e shpalljeve brenda territorit të komunës.

Pas mbajtjes së këtij konsultimi publik, Komuna e Gjakovës më 11.03.2024 ka bërë publike thirrjen për “Mbështetjen financiare të organizatave joqeveritare në zbatimin e aktiviteteve rinore”, vlera totale e planifikuar për të cilën është 20 mijë euro.

Si dhe thirrjen për “Mbështetje financiare publike të organizatave joqeveritare në zbatimin e aktiviteteve të kulturës dhe sportit”, vlera e të cilës thirrje është 135 mijë euro.