Foto: Ilustrim

Autobusët Vonohen, Polemikat Komunë- Qeveri Ndizen

Ata që tashmë ka qenë dashur të ndizeshin do të duhej të ishin autobusët e premtuar nga Shpend Ahmeti.

Por derisa qytetarët vazhdojnë të udhëtojnë me autobusë të vjetër, e në shumë raste edhe me taksi ilegalë, janë polemikat ndërmjet zyrtarëve të lartë të komunës së Prishtinës dhe qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa ato që tashmë janë ndezur.

Gjithçka nisi në debatin “Jeta në Komunë” në të cilin kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, akuzoui Ministrinë e Financave se nuk po e jep garancionin te Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për një kredi me kushte të favorshme për blerjen e këtyre autobusëve.

Ahmeti tha se komuna e Prishtinës është e gatshme që ta shpallë fituesin dhe autobusët të vijnë në Prishtinë brenda 120 ditëve.

http://kallxo.com/kryeqyteti-ne-sedren-e-shpend-ahmetit-sami-hamitit-e-lirak-celajt/

marrëveshja me këtë bankë parasheh një kredi në vlerë prej 10 milionë euro dhe një asistencë teknike prej 700 mijë euro.

Por kundërshtitë politike qeveri- komunë e Prishtinës e kanë zvarritur deri sot arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Në një deklaratë të lëshuar pas emisionit “Jeta në Komunë”, Ministria e Financave ka thënë se lëshilimi i garancisë shtetërore për kredinë që NP “Trafiku Urban” pritet të marrë nga BERZH-i është çështje ligjore dhe nuk varet nga vullneti i askujt.

Sipas Ministrisë, sapo të plotësohen kushtet që parashihen me ligj, Qeveria obligohet ligjërisht të dërgojë në Kuvendin e Kosovës projekt-ligjin për garancionin shtetëror për këtë kredi për miratimin e të cilit, sipas Ministrisë, kërkohen 2/3 e votave të deputetëve dhe “Kuvendi i Kosovës duhet të lejohet të votojë”.

“Komuna e Prishtinës nuk është dashur të presë për kurrfarë letre që t’i tregohet se cilat janë obligimet ligjore që duhet të plotësojë në mënyrë që Qeveria të procedojë në Kuvendin e Kosovës projekt-ligjin për garancinë shtetërore për këtë kredi”, thuhet në komunikatë.

Por Ministria thotë se pasi Komuna e Prishtinës nuk ka kryer këto obligime me kohë, është dashur të ftohet Kryetari i Komunës në takim që të qartësohen këto obligime.

“Në takim, Kryetari i Komunës ka kërkuar që t’i dërgojmë letër me shkrim për obligimet që kanë si komunë, të cilën gjë e kemi bërë”, thuhet në këtë komunikatë.

Por nuk ka vonuar shumë, edhe komuna e Prishtinës ka lëshuar versionin e vet të zhvillimeve.

Komuna thotë se negociatat me BERZH-in kanë përfunduar në fund të gushtit të vitit të kaluar në një raund dyditor negociatash  ku “janë dakorduar dhe kanë nënshkruar kushtet e kredisë”.

“Duke u bazuar në dakordimin me Ministrinë e Financave, BERZH-i ka dërguar kredinë në aprovim në bord më 3 shtator 2015. Po mos të kishte dakordimin e Ministrisë së Financave nuk do ta dërgonin, sepse ky ishte parakusht. Që nga gushti i vitit 2015, Minisitria nuk ka dërguar as edhe një letër, dhe po ashtu nuk ka kërkuar asnjë sqarim nga Komuna.  Kemi dëshmi të emaileve të panumërta nga BERZH-i, duke pyetur se çka po ndodhë”, thuhet në deklaratrën e komunës së Prishtinës.

Sipas komunës, kur para dy jave në vizitë erdhi një delegacion i lartë i BERZH-it, sa për t’u arsyetuar Ministria e Financave ka ftuar Kryetarin e Komunës në takim, ku për çudi ka kërkuar autorizimin, për të cilin ata e kanë ditur se ka ekzistuar qysh në fillim.

Komuna thotë gjithashtu se Ministria ka kërkuar vijë të veçantë buxhetor për këstet e kredisë në buxhetin e vitit 2016, edhe pse “kredia ka periudhë grejs (mospagesë) prej dy viteve”.