Objekti i ATK-së | Foto: KALLXO.com

ATK-ja Mbledh 31 Milionë Euro më Shumë

Në konferencën e organizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK)  u tha se të hyrat për tetë muajt e këtij vitit ishin për 16 për qind më të larta se tetë muajt e vitit të kaluar.

Në anën tjetër, nga hyrja në fuqi e ligjit për falje të borxhit e deri me 2 shtator të këtij viti, ATK-ja fali mbi 207 milionë euro borxhe.

Drejtori i ATK-së Sakip Imeri tha se të hyrat janë më të larta për 31 milionë euro në këtë tetëmujor në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

“Gjatë kësaj periudhe ka arritur të menaxhojë pjesën e të hyrave për obligimet që ka sipas ligjit për Administratën Tatimore të Kosovës me diferencë dikund 31 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, përkatësisht 16 për qind kemi më shumë se në vitin e kaluar,” tha Imeri.

Sipas Imerit nga janari deri në gusht të vitit të kaluar të hyrat kanë qenë 219.2 milionë euro të hyra, ndërsa në këtë periudhë të 2016-ës ato janë 250.2 milionë.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, përgëzoi drejtorin dhe stafin e tij për punën e bërë dhe tha se ATK-ja dhe Dogana po realizojnë të hyra rekorde.

“Sot kisha raportim në qeveri për tetë muajt e parë të këtij viti të të hyrave dhe të shpenzimeve. Ashtu siç e informova qeverinë dhe Kryeministrin, ne kemi pasur inkasim rekord në Administratë Tatimore dhe në Doganë të të hyrave të rregullta tatimore. Unë dëshiroj të përgëzoj drejtorin për një menaxhim shumë efikas gjatë këtij viti dhe gjithë stafin e tij, bashkëpunëtorët e tij,” tha Hoti

Gjatë prezantimi të raportit, u tha  në bazë të Ligjit për Faljen e borxheve, ATK fali 207 milionë e 328 mijë e 515 euro dhe nga ky proces u realizuan 20.4 milionë euro të hyra.

Në prezantimin e punës së ATK-së për tetë muaj e këtij viti në mes tjerash u tha se ky institucion ka realizuar 551 aktivitete vetëm për konstatime të stoqeve. Vlera e mallit pa origjinë të zbuluar nga ATK-ja është 1.6 milionë euro, ndërsa janë lëshuar 305 gjoba dhe vlera e ndëshkimeve ka mbërritur shumën  232 mijë e 500 euro.

Në konferencë u bë e ditur së në periudhën  janar-gusht 2016 janë pajisur me arka fiskale 2 mijë  tatimpagues të rinj. Gjithsej 25 mijë e 99 është tatimpagues janë fiskalizuar deri tash, ndërsa ata kanë 32 mijë e 263 pajisje fiskale.

ATK-ja tregoi se në tremujorin e kaluar ka pranuar 210 mijë pliko me kuponë fiskalë, pagesat për të cilët janë në proces.

Deri tani nga grumbullimi i kuponëve fiskalë, sipas ATK-së qytetarëve u janë kthyer 11 milionë euro.

Drejtuesi i ATK-së Imeri tha se kjo mënyrë e nxitjes së qytetarëve për të mbledhur kuponë fiskalë do të përfundojë, për t’ia lënë vendin shpërblimit për mbledhje kuponësh nëpërmjet lojërave, kur sipas tij shpërblimi do të jetë më i lartë.