Apeli konfirmon paraburgimin për të dyshuarit e shembjes së hotelit në Mitrovicë

Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat dy të dyshuarve për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Mitrovicës.

Me vendimin e kësaj gjykate, Afrim Hoti dhe Qamil Hajrizaj do të qëndrojnë në paraburgim deri më 22 maj 2019.

Që të dy po dyshohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm në lidhje me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Visar Behramit, i cili humbi jetën nga shembja e një pjese të hotelit “Adriatik” në Mitrovicë.

Gjykata e Apelit e vlerësoi të drejtë vendimin për paraburgim të gjykatës së shkalles së parë në Mitrovicë.

Afrim Hoti dhe Qamil Hajrizaj janë qiramarrës të hotelit i cili u shemb javë më parë.

Hoti ka qenë punëdhënës ndërsa Qamil Hajrizaj sipas dosjes së prokurorisë ka qenë punëkryes.

Dosja e Prokurorisë gjithashtu thotë se punimet në këtë ndërtesë në qendër të Mitrovicës ishin bërë pa konsultimin e ekspertit për rrënimin e objekteve ndërsa nuk ishte vepruar sipas rregullave teknike mbi masat mbrojtëse “edhe pse kanë qenë të obliguar”.

Sipas Prokurorisë, në bazë të një marrëveshjeje gojore, i pandehuri Qamil Hajrizaj kishte filluar të kryejë punët në objektin ndërtimor duke i prerë shtyllat e katit të parë të objektit.

Tre dëshmitarë kishin qenë duke pastruar objektin në katin e parë, ndërsa tani i ndjeri Visar Behrami kishte hipur në skele dhe po prente shtyllën e katërt me radhë të katit të parë të objektit.

Dëshmitarët, sipas Prokurorisë, kur kishin vërejtur se po shembet një pjesë e objektit, filluan të ikin në drejtim të derës së hyrjes, duke i bërtitur viktimës Visar Behrami të ikë nga vendi ku po qëndronte, pasi që kishin vërejtur se po shembej një pjesë e betonit e cila e kishte zënë atë.

Visar Behrami u varros me 23 prill 2019.

Gjatë varrimit familja Behrami ia kishte fal gjakun familjes Hajrizi për vdekjen e djalit të tyre.

https://kallxo.com/familja-e-te-vdekurit-nga-shembja-e-hotelit-adriatik-fal-gjakun/