Foto: KALLXO.com

Analistët: Këto Janë Kombinimet e Mundshme për Krijimin e Qeverisë

Çështja e krijimit të shumicës në Kuvendin e Kosovës, e rrjedhimisht edhe formimi i Qeverisë, duket se do të jetë një problem goxha i madh.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 11 qershorit nuk dhanë një fitues që do të mund ta formonte i vetëm shumicën parlamentare.

Në bazë të rezultateve pothuajse përfundimtare të KQZ-së, koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) doli i pari me rreth 34% të votave, i ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje me 27% dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa (LAA) me 25.79%.

Për shkak të këtyre numrave, koalicioni PAN por edhe Vetëvendosje kanë filluar bisedimet për të formuar shumicën e nevojshme për krijimin e Qeverisë së re.

Madje, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, dje e ka ftuar koalicionin LDK-AKR-Alternativa që të bashkohen dhe të krijojnë Qeverinë.

http://kallxo.com/kurti-thote-se-thaci-nuk-mund-ta-pengoje-qeverine-e-lvv-se/

Ndërsa, analistët janë të ndarë rreth asaj se kush duhet ta formojë Qeverinë.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, në një prononcim për KALLXO.com tha se institucionet natyrshëm do duhej të formoheshin nga opozita e deritanishme.

“Nëse i rikujtojmë situatat parazgjedhore, arsyet për zgjedhjet e parakohshme bazuar  në parimet e etikës dhe vlerës politike besoj se e institucionet natyrshëm  do të duhej të formoheshin nga opozita e deritanishme dhe subjektet që ishin në pushtet të jenë opozita e re”, tha Kryeziu për KALLXO.com.

Mirëpo, ndryshe mendon analisti tjetër, Albinot Maloku. Sipas tij, një koalicion në mes të PAN-it dhe Vetëvendosjes do të mund t’i shtynte proceset përpara.

“Koalicionit mes PAN-it dhe VV do të mund të shtynte proceset e ngelura. Që të dyja këto blloqe do të mund ta edukonin e të përplotësoheshin njëra me tjetrën, e mbi të gjitha, vendi nuk do të futej në krizë duke vrapuar pas Gjykatës Kushtetuese siç bëri VLAN-i një kohë.  Ky rekomandim veç nevojës rrjedh edhe si pasojë e fuqisë së votës që e kanë. Nëse e mendojmë koalicionin mes PAN-it dhe LAA-së nuk do të kishim asnjë ndryshim, veç se një fillim të ri të një loje të vjetër”, tha në mes tjerash Maloku për KALLXO.com.

Por, një kombinim të tillë e ka përjashtuar vetë Albin Kurti, i cili në konferencën e djeshme e përjashtoi çdo mundësi të koalicionit me PAN.

Ismet Kryeziu nga KDI thotë se përfaqësuesit e ambasadave të vendosura në Kosovë janë në favor të krijimit sa më shpejt të institucioneve.

“Mendoj se përfaqësuesit e ambasadave vetëm kanë dhënë vetën dhe politikat që ata përfaqësojnë në favor të krijimit sa më të shpejtë të institucioneve. Do të ishte e dëshiruar besoj dhe për ambasadat që politika Kosovare të tregohej më e përgjegjshme dhe me avancuar që të mos ketë nevojë për rol lehtësues në krijimin e institucioneve”, tha Kryeziu për KALLXO.com.

Analisti Maloku thotë se Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të përbëhet prej kundërshtuesve të Demarkacionit e Asociacionit.

“Konsideroj se Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet t’i ketë brenda vetës ish-kundërshtuesit e Demarkacionit e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në rrethanat e krijuara, me futjen në koalicion parazgjedhor të AAK-së e PDK-së, AAK-ja tanimë mund të bëhet pjesë e Qeverisë, e në anën tjetër e kemi Lëvizjen Vetëvendosje e cila po ashtu mund të jetë pjesë e Qeverisë”, tha për KALLXO.com Maloku.

Kandidati i Vetëvendosjes, Albin Kurti disa herë ka përsëritur se janë të hapur për deputetët e të gjitha subjekteve politike që të vijnë dhe të bashkohen për të qeverisur me vendin.

E rreth mundësisë së krijimit të Qeverisë, duke “peshkuar” deputetë në koalicione dhe grupe te ndryshme parlamentare, Kryeziu thotë se kjo nuk do kontribuonte në qeverinë e re.

“Do të ishte e udhës që krijimi i institucioneve të mos varej vetëm nga matematika dhe krijimi i numrave të mjaftueshëm, por të vinte si epilog i marrëveshjeve politike të cilat më pas do të reflektoheshin në programin e qeverisë së re që do të dalë nga këto zgjedhje”, tha ai.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka folur sot për ofertën e Albin Kurtit për bisedime rreth krijimit të Qeverisë duke thënë se janë në pritje të certifikimit të rezultateve nga KQZ.

http://kallxo.com/arban-abrashi-flet-per-oferten-e-kurtit/

Në zgjedhjet e 11 qershorit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më së shumti vota fitoi koalicioni PDK-AAK-Nisma, e dyta u rendit Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në pozitën e tretë u rangua koalicioni LDK-AKR.

Nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, duke mos u ndier mirë me rezultatin e partisë së tij dhe partnerëve të saj, tha të martën për KALLXO.com se LDK-ja mund të shkojë në opozitë nëse kjo gjë “mund t’i bëjë hair” për t’u konsoliduar.

http://kallxo.com/agim-veliu-nese-ben-hair-ldk-del-ne-opozite/