Vjosa Osmani takon ambasadorët gjerman e italian dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takime të ndara dy ambasadorë, atë të Gjermanisë dhe Italisë si dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Siç njoftoi Presidenca, në takimin me ambasadorin gjerman, Jorn Rohde, u diskutua edhe formimi i institucioneve të vendit pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit.

“Në takim, Ambasadori Rohde e uroi u.d. Presidenten Osmani për përvjetorin e pavarësisë, si dhe për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Duke folur për rëndësinë e themelimit sa më të shpejt të institucioneve të reja, Osmani theksoi se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Tema për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të vendit ishte edhe gjatë takimit në mes Osmanit dhe ambasadorit italian, Nicola Orlando.

“Me këtë rast, Ambasadori Orlando e uroi u.d. Presidenten Osmani për përvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit. Palët theksuan rëndësinë e konstituimit sa më të shpejt të institucioneve të reja në vend, të cilat duhen të reflektojnë vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në takim u theksua edhe rëndësia e numërimit të secilës votë, duke iu referuar në veçanti procesit të numërimit të votave të mërgatës”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të presidencës kosovare.

Për formimin e institucioneve u diskutua edhe gjatë takimit mes presidentes në detyrë, Vjosa Osmani dhe shefit të Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog.

Por, në këtë takim, siç ka njoftuar Presidenca është folur edhe për menaxhimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave anti-COVID.

“Theks i veçantë gjatë takimit është vënë në sigurimin sa më të shpejtë të vaksinës. Me këtë rast, u.d. Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi sa më konkret me BE-në dhe vendet anëtare të BE-së për sigurimin e vaksinës në një kohë sa më të shkurtër”, thuhet në njoftim.