Pamje nga seanca e gjykimit të Ardian Gjurajt (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

‘I Akuzuari Kishte Kërcënuar: Do t’ua Ndini Krismën Komunave, Stacioneve të Policisë’

Në gjyqin kundër Ardian Gjurajt, i akuzuar për vepra që lidhen me terrorizëm, sot ka dëshmuar një zyrtar i policisë.

Dëshmitari tha se për të pandehurin për herë të parë kishte dëgjuar gjatë vitit 2015 pasi që kishte pranuar një informacion nga burimet në terren se ai ka lidhje me ekstremizëm dhe radikalizëm.

Pas këtij informacioni, dëshmitari tha se kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit në Pejë për të biseduar më të por meqë ai nuk ishte në shtëpi pas një kohe së bashku me një koleg kishte shkuar përsëri, me ç’rast e kishin ftuar të akuzuarin të paraqitej në stacionin policor.

Dëshmitari tha se i akuzuari kishte shkuar në stacionin policor dhe në pyetjet që i ishin bërë nga hetuesit ai kishte mohuar që njihte apo shoqërohej me ndonjë person që ka lidhje me ekstremizëm dhe radikalizëm.

Sipas dëshmitarit nga burimet në terren kishin dëgjuar se i akuzuari Gjuraj kishte thënë se së shpejti do t’u dëgjohej zhurma institucioneve shtetërore.

“Do t’ua ndini krismën komunave, stacioneve të policisë dhe institucioneve me rendësi të veçantë”, tha dëshmitari  të ketë thënë Ardian Gjuraj sipas burimeve në terren të Drejtorisë Kundër Terrorizmit.

Më tej, dëshmitari tha se pasi që kishin marrë informatë që Ardiani është ndarë prej grupit që kanë qenë së bashku në një udhëtim të organizuar në Turqi, menjëherë i kanë bërë kërkesë zyrës ndërlidhëse për zbatimin e ligjit me Turqi se nëse haset personi në fjalë të ndalohet dhe të deportohet në Kosovë për arsye të informacionit që ata kishin pasi që sipas tyre mendohej që i akuzuari e ka përdorur ketë organizim të OJQ-së Liza-R për të shkuar në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak.

Ai po ashtu theksoi se sipas informatave nga burimet në terren Ardiani më herët sa kishte qenë në Kosovë ishte shoqëruar me Ergyn Sylën, i cili ka lidhje familjare me familjen nga fshati Bokshiq i Klinës ku nga anëtarët e kësaj familjeje dhjetë nga ta kanë pësuar në konfliktin në Siri, e po ashtu sipas këtyre burimeve i akuzuari ishte shoqëruar edhe me Sead Sallkoviqin nga Novi Pazari i cili po ashtu ka pasur një rast në stacionin e Pejës për falsifikim të dokumenteve dhe lidhje me persona të radikalizuar.

Arsyeja se pse nuk është ndaluar Ardian Gjuraj në Aeroportin e Prishtinës për të udhëtuar drejt Turqisë, sipas shefit të Njësisë së Inteligjencës ishte se ky person ishte futur në “Watch-list” (“Listën e vëzhgimit”), dhe se për këtë kishte qenë i njoftuar edhe prokurori paraprak.

Kurse avokati Gëzim Kollçaku gjatë gjithë kohës kërkoi nga dëshmitari që të tregonte nëse kishin ndonjë provë materiale me të cilën do të dëshmonin se i akuzuari kishte ndonjë lidhje me persona që e kanë përkrahur ekstremizmin dhe radikalizmin.

“Thatë që Ardiani sipas burimeve të juaja ka qenë i lidhur me persona që e kanë përkrahur ekstremizmin dhe radikalizmin dhe e përmendët që ky është indoktrinuar edhe në Gjermani, a keni ndonjë provë materiale nga shteti gjerman se ky ka qenë i dyshuar për ekstremizëm apo radikalizëm fetar”, e pyeti dëshmitarin avokati Kollçaku.

Por dëshmitari u përgjigj se ata nuk kanë prova materiale por se ata punojnë në bazë të informacioneve nga burimet në terren dhe se këto të dhëna nuk i deshifrojnë.

Edhe vetë i akuzuari i parashtroi pyetje dëshmitarit.

Ai kërkoi nga dëshmitari  të dinte se si është e mundur që kur në Turqi kishin shkuar tre policë të Kosovës për ta marrë e kanë parë me tre zyrtarë të Policisë turke pa pranga në duar. Sipas të akuzuarit kjo nënkupton se nuk ka qenë i arrestuar dhe vetëm që e kanë zënë pa dokumente e që sipas tij kjo ceket edhe në letrën zyrtare të autoriteteve turke se arsyeja e mbajtjes ka qenë vetëm sepse nuk ka poseduar dokumente identifikimi.

“Kjo bie ndesh me informacionet zyrtare që ju po thoni se i keni pranuar nga autoritetet turke, si ka mundësi të ndodhë kjo?” e pyeti i akuzuari dëshmitarin.

Por dëshmitari u përgjigj se ai nuk e di këtë pasi që secila polici i ka rregullat e veta.

Seanca e radhës do të mbahet më 10 nëntor me ç’rast do të përsëritet urdhëresa për dëshmitarin Bardh Behluli, i cili nuk është paraqitur në Gjykatë, si dhe me propozimin e avokatit të të akuzuarit do të kërkohet nga “Western Union” njoftimi për dërgimin dhe pranimin e të hollave për të akuzuarin gjatë periudhës dhjetor 2015 – shkurt 2016, pasi që me anë të kësaj prove avokati pretendon të dëshmojë se i mbrojturi i tij gjatë gjithë kohës ka qëndruar në Turqi.

Sipas aktakuzës, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.

Në bazë të aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.  Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku i ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.

Në aktakuzë thuhet se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritetet turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.

Gjuraj akuzohet për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

http://kallxo.com/paraburgim-luftetarit-te-dyshuar-te-isis/