Akuza për nga Dy Vende Pune për Komunarët e Preshevës

Debat i ashpër është zhvilluar në emisionin “Jeta në Kosovë” për atë se nga sa vende pune kanë zyrtarët e partive të cilët kanë udhëhequr me pushtetin në Komunën e Preshevës.

Shqiprim Arifi nga Alternativa për Ndryshim ka kritikuar zyrtarët e partive në pushtet se po shfrytëzojnë pushtetin për të mbajtur nga dy-tre vende pune.

“Shikoni 3 persona që gjenden këtu kanë nga 2 puna. Njëri jep mësim në Gjilan e dy të tjerët punojnë si mjekë”, ka thënë Arifi në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Por, Skender Destani, që është në pushtet nga partia Bashkimi Demokratik i Luginës, ka thënë se njëra punë është detyrë politike.

“Unë nuk i kam dy puna, por kam marrëdhënie pune me Shtëpinë e Shëndetit, ndërsa këtu jam në aspektin politik”, ka thënë Destani.

Po ashtu, Ramiz Latifi nga Rilindja Demokratike, i cili ka qenë kryesues i Asamblesë Komunale, thotë se ligji ia lejon një gjë të tillë. Edhe ai punon në Shtëpinë e Shëndetit.

“Nuk është e  vërtetë sepse me ligj është e lejueshme të udhëhiqet Kuvendi”, ka deklaruar Latifi në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ndërsa Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) ka pyetur se si mundet kryetari edhe të udhëheqë me Komunën edhe të jetë profesor në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” në të njëjtën kohë.

“Kush mund ta udhëheqë Komunën kur ka kaq shumë punë”, ka deklaruar Sinani në “Jeta në Kosovë”.

Ndërsa kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se deri tash ai kurrë nuk ka qëndruar pa dy-tri punë.

“Që nga koha kur kam diplomuar në Elektro-Teknikë më 1987 e gjer sot kurrë nuk kam qëndruar pa dy puna”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik ka pyetur se si është e mundur që kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka mundësi të jetë edhe profesor në Universitetin e Gjilanit e të jetë me orar të plotë edhe kryetar Komune.