Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ardita Sinani: Punësimi i shqiptarëve të Luginës në institucionet shtetërore, diskriminues dhe minimal

Ardita Sinani, këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se në institucionet shtetërore të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit punësimi bëhet duke diskriminuar qytetarët shqiptarë.

Sipas saj, madje ka edhe diskriminim në baza gjinore, sepse shumë pak gra janë të punësuara në institucionet shtetërore.

“Sot, ekzistojnë më shumë se 10 institucione shtetërore që veprojnë nëpër komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që punësojnë kuadro vetëm të nacionaliteti serb dhe në këtë mënyrë zvogëlojnë mundësinë e ndërtimit të një besimi të ndërsjellë. Përveç diskriminimit në baza etnike, është i dukshëm edhe diskriminimi në baza gjinore, ku përfaqësimi i gruas është minimal” – ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, përfaqësimi/integrimi në institucionet shtetërore nënkupton ndërmarrjen e masave urgjente me të cilat do të sigurohej “pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore” në pajtim me “strukturën proporcionale të popullsisë së këtyre komunave”.

“Kjo kërkesë është e bazuar në nenin 21 të Ligjit mbi Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të pakicave kombëtare, nenin 77 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe nenin 15 të Konventës Kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare”- ka shkruar tutje ajo.

Tutje ajo ka sqaruar se shembull për këtë është dispozita e cila pakicave u garanton “pjesëmarrjen në jetën publike dhe barazinë me rastin e punësimit në shërbimet publike”.

“Ligji urdhëron se me rastin e “punësimit në shërbimet publike, përfshirë këtu edhe policinë, të kihet konsideratë për strukturën nacionale të popullsisë, përfaqësimit përkatës dhe të njohjes së gjuhëve të cilat fliten në zonën e organit ose shërbimit”- ka shkruar tutje ajo.

Sinani ka thënë se në bazë të analizave të gjendjes së pakicave në Republikën e Serbisë, ekspertët ndërkombëtarë (vëzhguesit) janë të pajtimit se: “Korniza ligjore serbe përmban dispozita mirënjohëse për përparimin e mbrojtjes së të drejtave të pjesëtarëve të pakicave kombëtare, dhe se ato janë përmirësuar gjatë disa vjetëve të fundit”.

“Megjithatë ata gjithashtu janë të njëzëri edhe në atë se kornizës ligjore serbe i mungon “qasja gjithëpërfshirëse dhe strategjike  për integrimin e pakicave kombëtare” të cilin e konsiderojnë “të mangët”, ndërkaq brengosje të veçantë në raportet e ekspertëve ndërkombëtar paraqesin edhe “marrëdhëniet ndëretnike në Serbi” të cilat “edhe më tutje janë burim për brengosje” sipas mendimit të Këshillit të Evropës”- ka shkruar tutje ajo.

Sipas saj ndonëse korniza ligjore ekziston, numri i shqiptarëve të punësuar vazhdon të jetë minimal.

“Praktika dëshmon se ekzistimi i bazës ligjore, pa ekzistimin e vullnetit politik të Qeverisë, nuk është i mjaftueshëm për ta mundësuar integrimin e një pakice kombëtare.  Ka shumë institucione në territorin e Qarkut të Pçinjës dhe Jablanicës, gjegjësisht shërbime nën kompetenca të institucioneve republikane në të cilat numri i shqiptarëve të punësuar është simbolik, apo edhe nuk figuron fare”- ka shkruar tutje ajo.

Sinani ka publikuar një tabelë informatat për të cilën ka thënë se i ka siguruar nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu; për punësimet në Shtëpinë e Shëndetit në komunën e Bujanocit dhe atë të Preshevës.

Infografika: Ardita Sinani/Facebook