Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Ndalimi i Ardita Sinanit nga autoritetet serbe në pikën kufitare, reagon Zyra e Kryeministrit Kurti
Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka reaguar pas ndalimit të këshilltares politike Ardita Sinani nga policia kufitare serbe për mbi një orë, në vendkalimin kufitar me Republikën e Kosovës, në Muçibabë.
Në komunikatë, ZKM kërkon nga Serbia që të ndalojë diskriminimin me bazë etnike dhe shtypjen e të drejtave të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
“Ndalimi i Këshilltares së Kryeministrit të Republikës së Kosovës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Ardita Sinani në vendkalimin kufitar Muçibabë nga policia kufitare e Serbisë është shkelje e rëndë e të drejtës themelore të lirisë së lëvizjes”- thuhet në komunikatë.
Në reagim thuhet se kjo nuk është shkelja e vetme të cilën Serbia e bën karshi qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës.
“Kjo sjellje e Serbisë, e cila, përveçse nuk lejon edukimin e lartë në gjuhën shqipe dhe punësimin në institucione publike, përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, atë të lirisë së lëvizjes”- thuhet tutje në komunikatë.
Sipas ZKM-së, edhe Komiteti i Helsinkut në raportin e tij ka theksuar që Serbia po kryen spastrim etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Për të reduktuar sa më shumë numrin e shqiptarëve që jetojnë në jug, shteti po bën të ashtuquajturin “pasivizimin e adresave të banimit që u përkasin shqiptarëve” që punojnë jashtë vendit, qoftë në Evropën Perëndimore apo në Kosovë. Masa është në thelb një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”- thuhet tutje në komunikatë.
Ardita Sinani, këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se sot u ndalua nga policia kufitare serbe për mbi një orë, në vendkalimin kufitar me Republikën e Kosovës, në Muçibabë.
Sipas Sinanit, arsyetimi i vetëm që iu dha nga policët kufitarë të Serbisë është se “kanë urdhër për ndalim e saj dhe nuk mund ta lejojnë ta kaloj kufirin pa marrë pëlqim nga baza”.
Këshilltarja e Kurtit thotë se u ndalua nga policët kufitar serbë për mbi një orë