Aktakuzë për drogë ndaj grupit që vepronte në disa shtete

Përmes një njoftimi për media, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 4 personave që akuzohen se vepronin në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe në disa vende të Europës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve M.Q., SH.R., H.Q dhe S.Q., në drejtim të veprës penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike” Po ashtu, Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër H.Q., për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit M.Q., SH. R., H.Q dhe S.Q., duke vepruar si anëtarë të grupit në vazhdimësi që nga viti 2015 deri në 13 mars 2018, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi si dhe në vende tjera të Evropës si në Austri, kanë vepruar pa autorizim për blerje, shpërndarje, shitje, transport, eksport, si dhe, kanë dorëzuar, ndërmjetësuar, dërguar, në transit, eksport substanca të cilat janë të shpallura me ligj si narkotik- substanca psikotrope, me qëllim të shpërndarjes, shitjes ose ofrimit për shitje, në mënyre që të përfitojnë mjete financiare në vlera të larta.

Po sipas aktakuzës, i pandehuri H.Q., ka poseduar pa autorizim dhe pa leje nga organet kompetente armën e tipit pushkë “MOSBERG” me kapacitet mbushës prej 4 fishek, si dhe 33 fishek, me çka ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPK-së