Arkiv: Prokurori Metush Biraj | Foto: Drejtësia në Kosovë

Si e kishte arsyetuar tërheqjen e tij nga rasti për drogë ish-prokurori tani i akuzuar për marrje ryshfeti?

Prokuroria e Gjilanit sot më datë 05.03.2024 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-prokurorit Metush Biraj për marrje ryshfeti, pasi ishte tërhequr nga një rast për narkotikë në fjalën përfundimtare të rastit.

Rasti kishte të bënte me tentim-transportin e 130 kilogramëve marihuanë.

Si e kishte arsyetuar ish-prokurori Biraj tërheqjen e tij nga akuza për narkotikë më 31.03.2023?

Tërheqjen nga akuzat, Biraj e kishte bërë me arsyetimin se nuk ka gjetur prova të mjaftueshme kundër të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu.

Në fjalën përfundimtare, ish-prokurori Biraj kishte deklaruar se aktakuza e ngritur me asnjë provë nuk është vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Pas administrimit të të gjitha provave si ato verbale dhe ato materiale në këtë gjykim të gjatë u vërtetua si jokontesutuese fakti se sasia e madhe e narkotikut e fshehur në dyer që është zbuluar nga Policia, përmes kompanive transportuese si në Prizren dhe Ferizaj është tentuar të dërgohet për në Zvicër”- ka thënë ai.

Për Prokurorinë si jokontestuese është vërtetuar edhe fakti se kjo sasi e narkotikut nga Komuna e Gjakovës përmes dy auto-taksive private është bartur e fshehur në dyer në dy kompani.

“Si shumë kontestuese është paraqitur fakti se kjo sasi e madhe e narkotikut të llojit ‘marihuanë’ e destinuar jashtë Kosovës, a ka lidhshmëri kauzale me veprimet e dyshuara inkriminuese penale të të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu”- thuhet në fjalën përfundimtare të Prokurorisë.

Prokurori më tej ka cekur se po ashtu nga provat e tjera siç janë bisedat e tjera telefonike të nxjerra nga përgjimet e zhvilluara ndaj të akuzuarve nuk del se ka veprime inkriminuese.

“Nga deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në prokurori dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, në provat materiale si: përgjimi i telekomunikimeve, konkretisht supozimet e policisë sa i përket ‘dëgjimit të zërit’ mbështetur në nr. e telefonit … përmes së cilës i akuzauri Naim Osmani me taxi privat ka organizuar transportimin e narkotikut. Mirëpo, lidhur me këtë numër nuk dihet origjina e as kush e ka përdorur atë telefon”- thuhet në aktgjykim.

Sipas Prokurorisë nuk kishte lidhje kauzale që do të dëshmonte se të akuzuarit janë përfshirë në veprën penale e cila është objekt i akuzës.

“Duke e ndjekur zërin e ndërgjegjes sime e mbi të gjitha etikën profesionale, i nderuar trup gjykues unë nuk mund të qëndrojë pranë kësaj aktakuze, përkatësisht heq dorë nga aktakuza në mungesë të provave sepse në gjykim nuk u arrit që të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale për çka janë akuzuar”- thuhet në fjalën përfundimtare të dorëzuar nga prokurori Metush Biraj.

I njëjti kishte propozuar që substanca narkotike e llojit marihuanë në peshë totale prej 130 kg e 649.32gr të asgjësohet.

Meqenëse prokurori i shtetit në mungesë të provave ishte tërhequr nga aktakuza, Gjykata e Prizrenit lidhur me këtë rast kishte marrë aktgjykim refuzues.

“Nga të lartcekurat, në mungesë të provave, ndaj të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu për shkak të veprës penale në bashkëkryeje, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, prokurori i shtetit tërhiqet nga aktakuza, sepse aktakuza me asnjë provë nuk është vërtetuar gjatë shyrtimit kryesor”- thuhet në aktgjykim.

Sipas aktakuzës tre persona akuzoheshin se tentuan që të dërgonin drogë në Zvicër duke përdorur një linjë të transportit të mallrave.

Naim Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu janë akuzuar se pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me ligj si narkotikë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje.

Në seancën e datës 07.03.2023 në Gjykatën e Prizrenit, i akuzuari Naim Osmani e kishte mohuar veprën e cila i vihej në barrë.

Aktakuza thotshte se më datë 24 dhe 28 tetor 2017, në orët e paradites, duke përdorur dy taksi të ndryshëm nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh të komunës së Gjakovës, të dyshuarit kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.”në Prizren, dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj gjithsej 22 dyer të drurit.

Në brendinë e tyre janë paketuar në total 130 kilogramë e 649.32 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë me qëllim të eksportimit në Zvicër.

Me këtë të akuzuarit sipas Prokurorisë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.

Më 26.11.2017, Emisioni Drejtësia në Kosovë në rubrikën Policia kishte transmetuar filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë  në aksionin e koduar “Lozana”.

Xhirimet ekskluzive tregojnë se në brendi të dyerve nga druri  është vendosur marihuanë.

Aksioni ishte zhvilluar në Prizren, Ferizaj dhe katër lokacione në Gjakovë.

Në lokacionin e parë Policia në Prizren, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Gjakovë, gjatë punës operative dhe hetimeve të zhvilluara, arrin të identifikojë një depo në rajonin e Prizrenit, në të cilën dyshohej se ka substanca narkotike.

Për këtë ishte njoftuar prokurori dhe nga ai është marrë leje për kontroll, ku gjatë kontrollit në depo në  10 dyer ku dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Ndërkaq, në vazhdën e dytë të hetimeve më datë 28 tetor 2017, Policia arrin të identifikojnë një lokacion- depo të dytë në rajonin e Ferizajt dhe gjatë kontrollit në depo gjejnë 11 dyer ku po ashtu dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Filmimet tregojnë se në këtë rast në brendi të dyerve nga druri janë gjetur 171 paketime rreth 400 gramë secila, me peshë totale rreth 71 kg e 196.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Gjatë këtij aksioni Policia ka konfiskuar gjithsej 315 paketime me peshë totale prej 130 kilogramë e 649.3 gramë.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK.