Besnik Berisha. Foto: Kallxo.com

Aktakuzë Ndaj Besnik Berishës për Pasaportat

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Besnik Berishës, ish- Udhëheqës i Divizionit për prodhim në Ministrinë e Punëve të Brendshme nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Sipas aktakuzës Berisha ngarkohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe zbulimin e fshehtësisë zyrtare, duke publikuar informata për procesin e punës së prodhimit të dokumenteve, të cilat sipas ligjit klasifikohen si sekret zyrtar.

Këto veprime i Berisha dyshohet se i kishte kryer gjatë kohës sa ishte në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për prodhim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

Besnik Berisha e ka konfirmuar ngritjen e aktakuzës kundër tij për KALLXO.com dhe  tha se këtë aktakuzë e kishte marrë vesh nga mediat.

Ai tha se qëndron pas fjalëve të tij ‘se nuk ka zbuluar diçka e cila ka qenë sekrete’.

“E mora vesh nga mediat edhe unë qëndroj pas fjalëve që i kam thënë”, tha Berisha.

Berisha është pezulluar nga detyra e tij si Udhëheqës i Divizionit për prodhim në Ministrinë e Punëve të Brendshme prej rreth 13 muajsh pas dyshimeve të ngritura për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.

Prokurorja e këtij rasti nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga gjykata që Besnik Berisha “të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”.

Në dhjetor të vitit 2014, në një intervistë për KALLXO.com, Berisha kishte paralajmëruar padi ndaj ish ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe kishte folur gjerësisht për tenderin e pasaportave.

http://kallxo.com/besnik-berisha-paralajmeron-padi-ndaj-bajram-rexhepit/

http://kallxo.com/besnik-berisha-tenderi-i-pasaportave-shkonte-si-ne-pazar-tv/

Në dhjetor të vitit 2014, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtor Natali Veliajn dhe disa të akuzuar të tjerë të implikuar në skandalin e tenderit të pasaportave.

12 Vjet Burg për Natali Veliajn