Ahmeti: Brukseli kërkon një qëndrim ndaj taksës

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti tha sot se takimi ekipit dhe zyrtarit të lartë të Qeverisë Britanike, Richard Moore, ka qenë për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Edhe Mbretëria e Bashkuar e ka bërë të qartë se çka presin nga procesi i dialogu, ajo është njohja e Kosovës nga Serbia. Në takim diskutuam edhe për çështje që ndërlidhen me këtë proces. Ata do të jenë të involvuar në proces pa marrë parasysh diskutimeve të brendshme që i kanë për BREXIT-in. Mbretëria e Bashkuar ka filluar që në politikën e jashtme në Ballkan të jetë e veçuar dhe t’i mbrojë interesat e saj”, tha Ahmeti.

Ai në një konferencë për media pas takimit tha se Moore nesër do të jetë në Beograd, ku do ta marr qëndrimin e palës serbe.

“Aty ai edhe do t’i drejtoj edhe disa çështje që ne i ngritëm mbi reagimin që ka bërë Serbia karshi platformës sonë, duke përdorur gjuhë që na kujton vitet e ’90”, tha Ahmeti.

Ahmeti ka folur edhe për takimin e fundit në Bruksel mes Delegacionit dhe përfaqësuesve të BE-së.

“Ne i kemi këto takime të rregullta dhe jemi dakorduar që kur ka një ngjarje të takohemi. Kësaj radhe ka qenë platforma, e kemi dorëzuar zyrtarisht, kemi njoftuar për kalimin e Ligjit për dialogun. Për Brukselin përmendet taksa si penguese e dialogu. Koalicioni qeverisës ka detyrë të marr qëndrim të përbashkët për këtë sepse njëri fol diçka, tjetri diçka tjetër. Në këtë mënyrë nuk mund të mbrohet as qëndrimi, as të përfaqësohet Kosova”, deklaroi ai.