Ministri Hyseni para Komisionit për Punë të Brendshme - Foto: KALLXO.com

Afër 140 Kosovarë në Luftërat në Siri e Irak

Afër 140 qytetarë të Kosovës, luftëtarë aktivë, gra e fëmijë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, janë pjesë e konflikteve të armatosua në Siri e Irak.

Këtë shifër ministri e përmendi sot kur raportoi për gjendjen e sigurisë në vend para Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme.

Për gjendjen e sigurisë në vend, me theks të veçantë ekstremizmin dhe qytetarët e Kosovës që sot janë pjesë e konflikteve të armatosura, ministri ka folur afër dy orë.

Ministri theksoi se janë 314 qytetarë të Kosovës që kanë marrë pjesë në faza të ndryshme në këto luftëra. Sipas tij, Policia e Kosovës ka arritur t’i ndalojë 40 të tillë para se te arrijnë në pikat e krizës, në Siri apo Irak.

“Sot ne Siri e Irak janë 70 luftëtarë tanë aktivë. Fatkeqësisht janë po ashtu edhe 38 gra dhe 27 fëmijë në zonën e konfliktit. Ndërsa janë 57 shtetas të Kosovës që janë shpallur të vdekur dhe ne nuk mund t’i cilësojmë të vrarë apo vetëvrarë, por e dimë që janë të vdekur”, tha ministri Hyseni.

Sipas ministrit të Brendshëm, mosha mesatare e personave të indoktrinuar deri vonë ishte 18-27 vjeç, por trendi i fundit tregon se ajo tash është edhe më e ulët.

Që nga viti 2013, tha ministri, Policia e Kosovës ka inicuar hetime penale ndaj 199 personave ndërsa ndaj po kaq njerëzve janë ngritur kallëzime penale. “Nga ky numër janë arrestuar 102 persona dhe ndaj 70 janë ngritë aktakuza e janë dënuar 34 persona”, shtoi ministri.

Duke folur për problemin e radikalizmit, ministri përmendi edhe radikalizmin në burgje.

“Në burgje në vend që të lexojnë ndonjë nobelist, lexohet ndonjë libër i ndonjë të çmenduri”, theksoi ai, duke bërë thirrje, në të njëjtën kohë, të mendohet e të bëhen plane si t’i qasemi këtij fenomeni.

“E përmenda që ta jap alarmin se është problem me të cilin mund të përballemi. I kemi rreth 40 të dënuar në burgje të Kosovës dhe ne duhet të sigurohemi që ata të riintegrohen në shoqëri”, shtoi Skender Hyseni, i cili tha se duhet t’i kushtohet rëndësi vetëdijësimit dhe parandalimit.

“Po ua jap njoftimin ekskluziv: nga 15 gushti unë do të zhvilloj takime me Këshillat komunalë për Siguri në Bashkësi në 7 rajone dhe tema do të jetë përpos radikalizmit dhe ekstremizmit, trafikimi me qenie njerëzore dhe përdorimi i drogave në shkolla”, shtoi tutje ministri.

Duke folur për gjendjen e sigurisë në fusha të tjera, ministri i Brendshëm tha se diku gjendja është shumë e mirë, por diku, sikur në komunikacion, nuk është ajo që do ta dëshironim.

Për këtë të fundit, Skender Hyseni tha se duhen ndryshime në legjislacion “pasi kemi numër aq të madh të aksidenteve me pasoja fatale”.

Ndërsa sa i përket krimit ordiner, sipas ministrit, statistikave flasim për një trend në rënie, “ndonëse jemi larg një gjendjeje që do të mund të ishim tërësisht të kënaqur”.

Hyseni foli edhe për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke shtuar se Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprime të rëndësishme, aksione të shumta kundër krimit të organizuar sidomos në fushën e narkotikëve.

Por tha se “jemi vonuar me një numër projektligjesh”.

“Departamenti i Inteligjencës në Policinë e Kosovës është në këmbim të vazhdueshëm me shumë shtete, këmbim informacioni që të bëjmë këmbime të vazhdueshme, që të bëjmë veprime operative të përbashkëta siç ishte rasti me ‘Europolin’ vitin e kaluar me ç’rast u arrestuan 77 kriminel të krimit të organizuar, të përfshirë në trafikim me qenie njerëzore dhe në nxitjen e migrimit të paligjshëm të qytetarëve të Kosovës”, tregoi ministri.

Ministri Hyseni nuk la pa përmendur edhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim. “Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të formojë zyrë të veçantë për zbatimin e Marrëveshjes së MSA”, tha ai.

Sa i përket një shkrimi të “New York Times” për Kosovën, ministri tha se “ka qenë politikë redaktoriale që të arrihet një qëllim tjetër përmes tij” dhe shtoi se Kosova s’ka asgjë për të fshehur në këtë drejtim.