Dështon seanca gjyqësore ndaj Skender Hysenit, akuzohet për mosdeklarim të pasurisë

Në gjykimin për mosdeklarim të pasurisë ku i akuzuar është Skender Hyseni, ka munguar dëshmitari Ilir Kelmendi.

I njëjti kishte dhënë dëshminë në seancën e kaluar por të njëjtën nuk e ka përfunduar, me q`rast prokuroria kërkoi nga gjyqtari që të ndërpritet gjykimi dhe dëshmitari të ftohet që të përmbyllë dëshminë e tij për këtë rast, pasi që i njëjti nuk u paraqit në gjykatore.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, Florim Podvorica e kundërshtoi propozimin e prokurorit të rastit.

Gjyqtari Sabit Sadikaj e aprovoi propozimin e prokurorit që të ndërpritet seanca dhe e njëjta u caktua të mbahet më 21 nëntor të këtij viti.

Kelmendi është përfaqësues i Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Prishtinë, Skender Hyseni ka kryer veprën penale mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë.

Sipas prokurorisë Hyseni në gusht të vitit 2020 në cilësinë e zyrtarit të lartë publik – Kordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarim të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si Kordinator.

Sipas aktakuzës raportin të Agjencisë kundër Korrupsion thuhet se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit Volswagen në vlerë prej 13,300 euro, e cila është në pronësi të bashkëshortes së tij.