Arban Abrashi, LDK. Foto: Atdhe Mulla

Abrashi: Nuk do të Merrem me Çështje Rajonale e Ndërkombëtare

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, është prezantuar sot në këtë garë nga drejtuesit e partisë në një konferencë për shtyp të mbajtur fare pranë zyrës së kryetarit të komunës.

I gjendur në sheshin “Adem Jashari”, Abrashi kritikoi udhëheqjen aktuale të kryeqytetit se nuk ka investuar për ta rregulluar atë shesh.

“Kjo e ka një simbolikë, tregon që jemi afër marrjes së kësaj zyre dhe gjithashtu tregon se jemi në një shesh shumë afër zyrës së kryetarit në të cilin nuk është investuar me vite të tëra”, tha ai.

Abrashi e ka fituar garën e brendshme të LDK-së për kryetar të Prishtinës duke mbizotëruar në mesin e kandidaturave tjera që përfshinin Ismet Beqirin, Vjosa Osmanin, Avdullah Hotin e Lumir Abdixhikun.

Të premten Abrashi tha se ka gjasa reale që ta fitojë garën për Prishtinën në zgjedhjet e 22 tetorit dhe në këtë mënyrë ta kthejë kontrollin e LDK-së në kryeqytet, të humbur 4 vjet më parë.

“Mendoj se mundësitë janë maksimale. Realisht veç kandidimi im garanton fitore për Prishtinën”, tha ai.

Sipas Abrashit, qytetari i Prishtinës aktualisht është “vetëm instrument për të ardhur në pushtet”.

“Koncepti im politik dhe praktik ka të bëjë me atë që qytetari i Prishtinës të jetë në fokusin tonë, t’i ndaj hallet e brengat me ta dhe të ofroj zgjidhje për problemet e qytetarëve të Kosovës dhe të Prishtinës”, tha ai.

“Qytetari i Prishtinës ka problem me ngrohje, me ndriçim, me ndotje akustike e mjedisore, me parkingje e transport dhe unë si kryetar i ardhshëm i Prishtinës do të merrem me këto probleme”, tha Abrashi.

“Nuk do të merrem me çështje regjionale, nuk do të merrem me çështje ndërkombëtare, do të merrem me çështje të qeverisë. Do të bashkëpunoj me qeverinë, do të bashkëpunoj me kuvendin komunal në mënyrë që Prishtina të frymojë lirshëm dhe t’i përngjajë një qyteti europian”, shtoi ai.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, lavdëroi Abrashin në detyrat që ai ka kryer deri tash në pozita të ndryshme, përfshirë edhe si Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë mandatit të kaluar të qeverisë së Kosovës.

“Ai do të punojë që qyteti i Prishtinës t’i ngjajë një kryeqyteti të vërtetë. Do të bashkëpunojë me të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës sepse këtu nuk është fjala vetëm për një komunë”, tha Mustafa.