40 Mijë Mësimdhënësve do t’u Vlerësohet Puna
Ministria e Arsimit planifikon vlerësimin e vazhdueshëm të performancës së mësimdhënësve me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsim.
Këtë e paralajmëroi Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
“Mbi 40 mijë mësimdhënës të Kosovës do t’i nënshtrohen vlerësimit sistematik të performancës,” tha Bajrami gjatë një konference ku u promovua Strategjia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar në Kosovë.
Kjo strategji po mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe organizata Kultur Kontakt Austria.
Jemi duke punuar në reformimin e mësimdhënies ku çdo shkollë duhet të ketë koordinatorë për ngritjen e cilësisë në arsim, tha Arsim Bajrami.
Ai bëri të ditur se do të shtohet edhe numri i personelit ndihmës nëpër shkolla.
“Kemi vendosur që në çdo shkollë të ketë pedagogë, psikologë, punëtorë socialë dhe mjekë në mënyrë që shkolla të funksionojë si familje,” tha Bajrami.
Sipas ministrit Bajrami, dokumenti për ngritjen e cilësisë së arsimit është miratuar nga Qeveria e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës e ka miratuar këtë projekt si dokument strategjik për periudhën pesëvjeçare 2016-2020, i cili është një udhërrëfyes se si të ngrihet cilësia e arsimit parauniversitar,” tha ministri Bajrami.
Ambasadori i Austrisë, Gernot Pfandler gjatë kësaj konference tha se Austria që nga vitet e 90-ta është aktive në zhvillimin e sistemit arsimor në Kosovë.
“Qe nga vitet e 90-ta, Austria ishte njëra nga vendet e para që pranoi diplomat e Kosovës për të studiuar në Austri,” tha Pfandler.
Edhe Monika Mott, përfaqësuese nga Austria e projektit për ngritjen e cilësisë në arsim tha se sistemi i sigurimit të cilësisë duhet të ndryshojë në Kosovë.
Ndërsa eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci tregoi se sa shpenzon Kosova për arsim.
“Sa i përket financimit, Kosova shpenzon 4.1% të bruto produktit vendor për arsim,” tha Pupovci.