Arsim Bajrami

Ish-ministri i Arsimit: Ndërtimi i ‘Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë të Veriut”, i paligjshëm

Në vitin 2015, në kohën kur ministër i Arsimit ka qenë Arsim Bajrami, ishte një tentativë që ‘Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë’ të futet në juridiksion të Kosovës, përmes Ligjit për Arsimin e Lartë.

Ky projektligj ishte përgatitur në vitin 2015 dhe për shkak të vërejtjeve të Listës Serbe, nuk u miratua ende sot e asaj dite.

Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e ka quajtur shumë të dëmshëm ndërtimin e objektit të ri të këtij universiteti nga ana e Serbisë.

“Në fakt është një projekt krejtësisht i paligjshëm dhe i dëmshëm dhe me projektligjin për arsimin e lartë që nuk është votuar asnjëherë në Kuvendin e Kosovës, të cilin e kam përgatitur unë si ministër, shprehimisht kemi tentuar që këtë universitet ta fusin në juridiksionin e Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

Ai dha detaje se ky projektligj kishte shkuar në fazën e diskutimit dhe miratimit në parlament, por sipas tij “fatkeqësisht për shkak të presionit ndërkombëtar dhe ai ligj sot e asaj dite, që nuk u miratua janë bërë 7-8 vite”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të arrijë një marrëveshje me Listën Serbe që ta votojë Ligjin për Arsimin e Lartë dhe ky universiteti t’i nënshtrohet ligjeve të Kosovës.

“Qeveria duhet ta votojë ligjin për Arsimin e lartë, ai është i gatshëm. Është në zyrën e ministres Nagavci, i punuar qysh në vitin 2016 dhe në atë ligj definitivisht ta fut këtë universitet në kontroll qeveritar, në funksion të ligjeve të Kosovës dhe mendoj që duhet patjetër që ky ligj sa më shpejtë të shkoj dhe eventualisht të arrihet një marrëveshje me Listën Serbe”, tha Bajrami për KALLXO.com.

Sipas tij, i ashtuquajturi “Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë’, është një projekt politik, ‘i cili s’ka të bëjë me arsimin e lartë por më tepër një ndërhyrje e drejtpërdrejt në Kosovë’.

Bajrami po ashtu shtoi se ky universitet nuk futet në filtrat e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

“Në kohën time ky universitet nuk është akredituar nga Agjencia e Akreditimit, por nga institucionet serbe”, shton ai.

Ai po ashtu thotë për KALLXO.com se ka tentuar që ta vizitojë këtë universitet dhe të krijojë kontakte me udhëheqës, por se nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë.

“Kam tentuar sa isha ministër që ta vizitojë këtë universitet dhe të ftoj rektorin e këtij universiteti që ta njeh Kosovën. Po ashtu kam ofruar që serbët që dëshirojnë të vijnë në UP  të hapim katedra edhe drejtime në gjuhën serbe, por s’kanë dashur por edhe bashkësia ndërkombëtare nuk na ka lejuar që të marrim masa më radikale”, ka thënë ish-ministri.

Më 20 gusht në pjesën veriore të Kosovës u hodh gurthemeli për ndërtimin e objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë”. Në këtë objekt është paraparë të investohet mbi 6 milionë euro nga Qeveria e Serbisë.