Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami. Foto: Kallxo.com

Arsim Bajrami: Do ta këshilloja Thaçin që t’i shpallë zgjedhjet

Eksperti kushtetues dhe ish-nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami ka deklaruar se po të ishte këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, do ta këshillonte atë që në kushtet pas pandemisë, të shpallte zgjedhjet e jashtëzakonmshme në vend pas situatës së krijuar politike.

“Nëse do të isha këshilltar i tij, momentin kur përfundon pandemia, ose kur kemi fundin e saj nëse mu do të më kërkonte ai, e kam këshilluar në momente shumë të vështira z. Hashim Thaçi nga ditët e para, atëherë unë do ta këshilloja që t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme në interes të demokracisë, në një situatë të rregullt”, tha ai në KTV.

Bajrami ka shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Hashim Thaçi që mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër do të zgjidh krizën politike, duke shkuar drejt zgjedhjeve ose Qeverisë së re.

“Në momentin kur ta kemi dispozitivin, që është verdikti i gjykatës, menjëherë të zgjidhet kriza politike, ose me zgjedhje ose me Qeverinë e re, Qeverinë Hoti. Personalisht preferoj zgjedhjet, sepse besoj në shëndetin e demokracisë dhe besoj që do të ruhet demokracia nga precedanët e rrezikshëm për vite të tëra”, theksoi ai.

“Nuk e kam problemin fare të  individëve që janë në konflikt, as të Albin Kurtit, as të Avdullah Hotit, është problemi i fatit të demrokacisë në Kosovë dhe i kredibilitetit të zgjedhjeve”, shtoi Bajrami.

Gjykata Kushtetuese e pezulloi deri me 29 maj dekretin e Presidentit Hashim Thaçi, përmes së cilit ky i fundit e mandatoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër.

Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Kushtetuese dekretin, duke kërkuar edhe masë të përkohshme ndaj tij, përderisa të dyja palët politike janë në pritjes të fjalës së fundit të gjykatës.