Lumi Sitnica afër Lipjanit, i vërshuar ditë më parë.

200 Mijë Euro për Pastrimin e Lumit Sitnica Afër Lipjanit

Komuna e Lipjanit ka pranuar 200 mijë euro nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të dedikuara për pastrimin e lumit Sitnica.

Para disa ditësh lumi Sitnica kishte dalë nga shtrati duke vërshuar fusha përgjatë shtratit të lumit si dhe oborrin e shkollës fillore “Ismail Luma”

KALLXO.com kishte raportuar me për daljen nga shtrati të lumit Sitnica.

Kamera 360 shkallë ka kapur pamjet e vërshimeve përeth shtratit të lumit Sitnica të cilat e kanë përfshirë edhe oborrin e shkollës fillore “Ismal Luma”.

http://kallxo.com/kallxo-360-medet-lipjani/

Ferid Agani, Ministër i MMPH përmes një komunikate për media ka lajmëruar marrëveshjen e bërë për financimin e këtij projekti duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për mbrojtjen nga vërshimet.

“Qeveria e Kosovës do të jetë shumë e përkushtuar që në periudhën e ardhshme ti mbështetë komunat që janë të prekura nga vërshimet në mënyrë substanciale dhe me projekte konkrete deri në momentin kur të arrijmë të themelojmë fondin për mbrojtjen e mjedisit, që paraqet një prioritet të prioritete në ministrinë e Mjedisit”, thotë ministri Agani në komunikatën e lëshuar.

Në ndërkohë, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti vlerësoi se vërshimet janë një nga problemet kryesore të kësaj komune dhe ka thënë se shpreson në zgjidhjen e këtij problemi me projektin e pastrimit.

“Ka qenë një ndër problemet më të mëdha që jemi atakuar viteve të fundit, sidomos në kohën e reshjeve ku janë më të fiksuara. Kjo vlerë, ky projekt të cilin do ta implementojmë, besoj se do ta zgjidhim për një periudhë më afatgjate problemin e vërshimeve që i kemi pasur zakonisht në Lipjan”, tha Ahmeti.

Ministri Agani është zotuar se do të punojnë në zgjidhjen e problemit të vërshimeve edhe nëpër komunat tjera të Kosovës si Ferizaj, Graçanica, Fushë Kosova dhe Obiliqi.