COVID-19

Kapacitetet e institucioneve shëndetësore në Kosovë për të luftuar COVID-19

Kosova është duke u përballuar me pandeminë COVID-19 tash e tetë muaj, deri më tani janë infektuar 25,388 qytetarë.

Javëve të fundit numri i të infektuarve është rritur, brenda 24 orëve po infektohen mbi 700 qytetarë.

Aktualisht nëpër institucionet e shëndetësore në vend janë 838 shtretër, përderisa 626 pacientë janë të shtrirë nëpër Klinikat e Prishtinës dhe në spitalet rajonale në vend.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në konferencë tregoi se kanë bërë riorganizim për rritjen e kapaciteteve nëpër institucionet shëndetësore.

“Janë bërë riorganizimet e Spitalit, duke e rritur numrin e shtretërve në 838 përkohësisht, sepse vazhdimisht është duke u rritë duke u organizuar i gjithë shërbimi spitalorë edhe me numrin e shtretërve me qasje në oksigjen, në ndërkohë që po flasim janë 626 pacientë që janë të shtrirë nëpër klinika në Prishtinë dhe nëpër spitale gjithandej”, tregoi Hoti.

Kujtojmë se në Klinikën Infektive 120 shtretër janë të përcaktuar për pacientët e infektuar me COVID-19, përderisa kriza e infeksionit është duke dërguar përsëri vendin në një mbyllje totale.

Deri më tani 773 qytetarë të Kosovës kanë vdekur si pasojë e SARS-CoV-2.

 

Hoti prezanton masat e reja kundër COVID-19