VIDEO: Klinika Infektive vërshohet nga pacientët me coronavirus

Rritja e madhe e rasteve me COVID-19 ka shtuar numrin e pacientëve që ditëve të fundit po kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Ushtruesja e detyrës e drejtoreshës së Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, tha për KALLXO.com se 90 deri në 100 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore brenda ditës.

“Në Klinikën Infektive kohëve të fundit, sidomos nga java e kaluar, kemi numër të shtuar të pacientëve që kërkojnë edhe ndihmë mjekësore por edhe që janë të spitalizuar. Ky numër sillet prej 90 deri në 100 pacientë të cilët janë të spitalizuar brenda ditës. Ka edhe pacientë të cilët lirohen pas përmirësimit të  gjendjes së përgjithshme, mirëpo në ndërkohë pranohen edhe pacientë të tjerë. Rastet e pranuara sillet rreth 10 në ditë”, tha ajo.

Ajazaj-Berisha tutje tregon se mbi 50 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi, kurse dy janë në respiratorë.

“Javën e fundit kemi prej 130 deri në 170 raste të cilët vijnë në vizitë me manifestime klinike por edhe një numër i rasteve pa manifestime të cilët kërkojnë testim. Ndërsa sa i përket pacientëve të spitalizuar, nga 50 deri 60 pacientë e këtyre pacientëve janë me oksigjeno –terapi, sot i kemi edhe dy pacientë të cilët janë në respiratorë në CPAP”, tha Ajazaj – Berisha.

Aktualisht Klinika Infektive ka 120 shtretër për pacientët me coronavirus.

 

“Klinika infektive ka një kapacitet prej 128 shtretërve, mirëpo për trajtimin e pacientëve COVID-19 ne mund të shfrytëzojmë maskimum deri në 120 shtretër për arsye se disa hapësira janë të dedikuar për parandalim të infeksioneve brenda spitalore”, tha tutje ajo.

Që nga fillimi i pandemisë një ndër problemet më të mëdha të institucioneve shëndetësore ka qenë mungesa e respiratorëve. Mirëpo, Lindita Ajazaj-Berisha thotë se tani janë mjaftueshëm të furnizuar me respiratorë.

“Në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar është bërë donacioni me respiratorë, kemi numër të mjaftueshëm të respiratorëve, mirëpo kjo varet nga riorganizimi që do të bëhet për shkak të numrit të shtuar të rasteve të cilët duhet të spitalizohen për shkak të manifestimeve klinike”, shtoi ajo.

Në rast se numri i rasteve pozitive në nivel vendi rritet do të fillohet të zbatohet plani B.

“Në momentin që tejkalohet kapaciteti i Klinikës Infektive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është duke u bërë plani B që në rast të mbushjes së kapaciteteve do të aktivizohen klinika të tjera. Klinika Infektive do të mbetet si Klinika COVID1 dhe në ndërkohë do të krijohet klinika COVID2  për të gjitha rastet të cilat kanë nevojë për spitalizim”, tha Ajazaj – Berisha.

Deri më sot në Kosovë me COVID-19 janë infektuar 18 mijë e 910 qytetarë. Prej tyre 15 mijë e 367 janë shëruar dhe 674 kanë vdekur.