Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti prezanton masat e reja kundër COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditura masat e reja anti- COVID për ditë e ardhshme në Kosovë. Vendimi sipas Hotit pritet të vihet në votim në qeveri.

“Kemi përgatitur draft vendimin  dhe pas konferencës do të shkoj në vendim. Kemi ndërmarr masat që vlejnë në të gjithë territorin e Kosovës, hyrje daljet në kufi sa i përket testit PCR.

Ai tha se kanë vendosur  që arsimi i lartë të kalojë plotësisht online, ndërsa për arsimin e ulët vlejnë manualët dhe me komunat ku vendimet merren sipas komunës dhe shkollave veç e veç”

“Kemi vendos që t’i kthejmë ekipet mjekësore në pika kufitare. Kemi kërkuar nga komunat që të ngrisin shtabet emergjente për t’i mbikëqyr personat të cilët janë të infektuar”, ka thënë Hoti.

Këto masa hyjnë në fuqi të premten në orën 19:00.

Më 6 nëntor në masat e miratuara për parandalimin e përhapjes së COVID-19, gjatë fundjavës u është lejuar puna  vetëm: furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve. Gjithashtu kanë vazhduar shërbimet edhe institucionet shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.

Kryeministri Hoti ditë më parë kishte paralajmëruar se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.