Rrëshqitja e dheut në Rugovë të Pejës | Foto: Facebook

Rrëshqitje Dheu në Rugovë të Pejës

Dheu ka rrëshqitur në Rugovë të Pejës në kilometrin e 13-të të rrugës Pejë- Kuqishtë.

Lajmin për këtë rrëshqitje të dheut e ka bërë të ditur ministri i infrastrukturës Pal Lekaj në një postim në Facebook.

“Në Rugovë të Pejës në kilometrin 13, aty ku vazhdimisht sa herë po rritet dendësia e reshjeve të shiut po ndodhin rrëshqitje terreni, ashtu edhe sonte në orët e mbrëmjes ka pasur rrëshqitje në masë të madhe”, njoftoi Lekaj në Facebook.

Ai kërkoi që të shmanget qarkullimi në Rrugën Pejë-Kuqishtë nga rreziku që paraqitet për pjesëmarrësit e trafikut.

Ministri bëri të ditur se kompania e mirëmbajtjes është në vend të ngjarjes për të liruar rrugën nga bllokada.

Lekaj tregoi se kjo bllokadë “nuk është edhe e vogël”.

Edhe Ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga Lekaj, bëri të ditur se përveç rrëshqitjes së dheut në Rugovë, reshjet e dendura të borës kanë vështirësuar qarkullimin në Veternik në hyrje të Prishtinës.

“Ministria e Infrastrukturës u kërkon falje të gjithë qytetarëve për pengesat e hasura në rrugën për Veternik, ku si pasojë e reshjeve të dendura të borës për vetëm 15 minuta është mbuluar terreni”, thuhet në komunikatë.

KALLXO.com shkroi sot edhe për rrëshqitjen e dheut në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë.

http://kallxo.com/rreshqet-dheu-ne-lagjen-e-muhaxhereve-rrezikohen-shtepite/