Ramiz Lladrovci - Foto: KALLXO.com

Ramiz Lladrovci zbulon skandalin me ujësjellësin, 22 fshatra vazhdojnë të mbesin pa ujë

Banorët e 22 fshatrave të Drenasit do të vazhdojnë të mbesin pa ujë, të cilin do t’ua dërgonte ujësjellësi, i cili ishte paraparë të lëshohej në muajin qershor.

Kjo për shkak se në disa segmente të sistemit të ujësjellësit mungojnë gypat.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ai ka thënë se rreth këtij rasti kanë nisur hetimet.

“Ndjej për obligim të njoftoj qytetarët e Komunës dhe njëherësh kërkoj falje lidhur me mos realizimin e projektit në qershor të këtij viti, “Ndërtimi i gypit nga rezervuari i Ferronikelit deri të rezervuari i ri në Kamenicë”, projekt i vitit 2012”, ka shkruar Lladrovci në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas kryetarit, gjatë kryerjes së punimeve në vitet 2012-2014, projekti ka defekte të rënda- nuk janë vendosur gypat në tërë segmentet e planifikuara, sipas paramasës dhe parallogarisë.

“Mungesa e gypave në gjatësi të konsiderueshme është vërtetuar nga Drejtoria e Infrastrukturës Lokale. Kjo Drejtori konstaton se gypi i ujësjellësit në disa segmente (llote) nuk është vendosur fare, nga kompania e kontraktuar. Kompania është paguar madje është bërë edhe pranimi teknik”, ka shtuar Ramiz Lladrovci.

Ai tha se pasi kanë marrë informacionin zyrtar, ka njoftuar organet kompetente dhe kanë filluar procedurat hetimore.

“Si pasojë e kësaj, punimet nuk mund të vazhdojnë deri sa të kryhen hetimet”, ka theksuar ai.