Intervenimi për shuarjen e zjarrit në fabrikën në Drenas, ankesa për mungesë të ujit

Gjatë intervenimit për shuarjen e zjarrit që përfshiu një fabrikë të plastikës mesditën e së hënën në Korreticë të Epërme të Drenasit, zjarrfikësit po përballen me mungesë të ujit në zonë.

Intervenuesit po detyrohen që të furnizohen me ujë disa kilometra larg zonës ku shpërtheu zjarri, më 11.03.2024.

Për mungesë të ujit foli kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, si dhe përfaqësues të zjarrfikësve në këtë komunë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

I pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se zjarrfikësit po furnizohen me ujë nga vende të tjera.

“Autocisternat po duhet me shku me u mbushë me ujë në Drenas, ndërsa autocisterna e KFOR-it po shkon në Aeroportin e Prishtinës. Ujë nuk ka, është ndalë që disa herë, nuk i dijmë arsyet. Sipas informacioneve të mia, ujin në Park të Bizneseve e marrim nga Dobreva. Ne do i ndjekim procedurat që me marrë vesh pse s’ka pas ujë” – deklaroi Lladrovci.

Problemet e funrnizimit me ujë i ka konfirmuar edhe komandanti i zjarrfikësve të Drenasit, Afrim Xhelili.

Ai tregoi se po detyrohen që për ujë të shkojnë në Drenas e Komoran.

“Kemi pas pengesa me furnizim të ujit, është deshtë me shku në Drenas dhe Komoran për me marrë ujë, dikush duhet me dhënë përgjegjësi. Në vend që me marrë ujin 200 metra këtu, duhet me shku 2 kilometra ose 5 kilometra” – deklaroi Xhelili para mediave.

KALLXO.com po raporton direkt nga vendi i ngjarjes për zjarrin në fabrikë.

Vazhdon zjarri i madh në fabrikën në Drenas, për çështje sigurie zhvendosen gazetarët