Qeveria e Kosovës - Foto: ZKM

Qeveria i emëroi drejtorët e bordeve në tri ndërmarrje publike

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka emëruar  drejtorët  në bordet e ndërmarrjeve publike: Trainkos, Infrakos dhe në Kompaninë për Menagjimin e Deponive të Mbeturinave, sipas listave të rekomanduara nga komisionet përzgjedhëse, nga intervistimi i kandidatëve që kanë aplikuar për këto pozita.

Bordi i TrainKos  do të përbëhet nga Ramush Ahmeti – kryesues, Agim Preniqi –anëtar, Fejzi Kiqina –anëtar, Ylber Shabani –anëtar, Mustafë Mustafa anëtar dhe Ramiz Rrustaj –anëtar.

Ndërkaq Bordi i Ndërmarrjes InfraKos do të përbëhet nga Enver Aruqaj –Kryesues, Lundrim Camaj –anëtar, Enis Berisha – anëtar, Shkëlqim Osmanaj –anëtar, Nagip Skenderi – anëtar dhe Arben Dodaj –anëtar.

Kurse, Bordi i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive do ta ketë këtë përbërje: Mentor Hoxhaj –kryesues, Gazmend Bytyqi –anëtar, Havë Qarri –anëtar, Bashkim Krasniqi – anëtar, Burim Gashi – anëtar, Selatin Ratkoceri –anëtar.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Këshillit për Bashkëpunim të Qeverisë me shoqërinë civile.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Këshilli përbëhet nga 29 anëtarë, 14 janë përfaqësues nga Qeveria e Kosovës ndërsa 15 nga shoqëria civile.

Këshilli drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit dhe në bashkë kryesim me përfaqësuesin nga shoqëria civile të emëruar nga Platforma Civikos.

Ne mbledhje të ekzekutivit është shqyrtuar dhe aprovuar edhe kërkesa e Komunës së Istogut për ndarje të mjeteve  financiare për realizim të projektit për furnizim me ujë për fshatrat Banjë, Baicë, Lubovë, Carallukë, Kashicë dhe Dubovë e vogël.

Kostoja financiare për realizimin e këtij projekti kap shumën prej 137,033.40 euro.

Ndërkaq, me propozimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), është bërë plotësimi dhe ndryshimi i vendimit të Qeverisë për qëllim të përdorimit të kompleksit banesor-afarist ‘Hade dhe Hade2”.

“Duke u bazuar në legjislacion dhe praktikat e punës, MPMS ka konstaton se nuk është përgjegjëse për zhvillimin e procedurave për përzgjedhjen e përfituesve sipas pikës dy të këtij vendimi. Andaj MPMS, propozon që Qeveria të autorizojë Komunën e Obiliqit që të zhvillojë tërë procesin e përzgjedhjes së përfituesve të drejtës së banimit në hapësirat sipas destinimit të përcaktuar”, njofton Qeveria.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për të aprovuar kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për rialokim të mjeteve në buxhetin e kësaj ministrie nga projekti “Bashkëfinancim me donator për skemën e granteve bazuar në performancën komunale.

Me qëllim të realizimit të projekteve, MAPL ka kërkuar alokimin e 948,555.00 euro.

Nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme në Zonën Kadastrale të Hajvalisë, Komuna e Prishtinës, e cila preket nga ndërtimi dhe realizimi i projektit “Rregullimi i shtratit të prrockës në Hajvali” që do të përmirësojë mbrojtjen e mjedisit në këtë zonë.