D+ publikoi raportin për monitorimin e Ndërmarrjeve Publike: Nuk po zbatohen planet e prokurimit

Organizata Demokraci Plus (D+) ka publikuar sot raportin për monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, për zbatimin e planit të prokurimit.

Pjesë e monitorimit kanë qenë tri Ndërmarrje Publike. ‘Hortikultura’, ‘Trafiku Urban’ dhe ‘Ibër Lepenci’.

Sipas Ardit Dragushës nga Demokraci Plus, gjatë vitit 2023 Hortikultura ka arritur që të hap vetëm 18.9% të kontratave të planifikuara në planin e prokurimit, Trafiku Urban 26%, ndërsa Ibër Lepenci 43%.

“Problemet kryesore rreth planeve të prokurimit janë se këto plane nuk po arrijnë të zbatohen në praktikë, me shumicën e aktiviteteve të prokurimit të cilat nuk po hapen në kohën e planifikuar. Përqindja e ulët e zbatimit të këtyre planeve dhe planifikimi jo efektiv po rezulton me disa probleme të cilat kanë të bëjnë me mos shpenzimet e buxhetit publik, vonesat e projekteve, si dhe rritje të kostos së mirëmbajtjes dhe shpenzimet e parasë publike” – tha Dragusha.

Ndërsa Egzona Kuzhani po ashtu nga kjo organizatë, tha se institucionet duhet të pasqyrojnë në mënyrë sa më të saktë të gjitha nevojat dhe synimet, për të gjitha mallrat, punët dhe shërbimet që i planifikojnë.

“Po ashtu menaxhmenti i këtyre institucioneve duhet të jetë më aktiv në monitorimin e departamenteve të këtyre institucioneve, duke synuar që të gjitha kontratat e planifikuara të hapen me kohë dhe të mos ketë vonesa” – tha ajo.

Përgatiti: Nuhi Shala