'Demokraci Plus' publikon raportin nga monitorimi i tenderëve të 4 ndërmarrjeve publike

Organizata ‘Demokraci Plus’ (D+) ka bërë monitorimin e tenderëve të katër ndërmarrjeve publike: KRM Ekoregjioni, Hidroregjioni Jugor, Ndërmarrja Publike Banesore dhe Hortikultura.

Tenderët të cilët i ka monitoruar kjo organizatë përfshijnë: furnizimin me pajisje për dixhitalizimin e faturimit dhe bizneseve për nevoja të KRM Ekoregjioni, furnizimin me material higjienik për nevojat e kompanisë Hidroregjioni Jugor, vlerësimin e pronave të Ndërmarrjes Publike Banesore si dhe dhe brendimin dhe dixhitalizimin e ndërmarrjes lokale Hortikultura.

Gjetjet që i ka evidentuar kjo organizatë kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga nënshkrimi i kontratës më pak se vlera e parashikuar deri tek shpërblimi i operatorit që nuk i ka plotësuar kërkesat.

Sipas raportit ndërmarrja KRM Ekoregjioni ka kufizuar konkurrencën duke kërkuar një certifikatë ISO e cila nuk është relevante me natyrën e furnizimit. Si rrjedhojë, në këtë aktivitet ka aplikuar vetëm një operator ekonomik.

Tek ndërmarrja publike rajonale Hidroregjioni Jugor, Demokraci Plus ka gjetur se kjo ndërmarrje  ka nënshkruar kontratë 10,461.00 euro më pak se vlera e parashikuar, si rezultat i mos analizimit të çmimit të tregut, kështu duke vështirësuar përdorimin e këtyre mjeteve në këtë vit buxhetor.

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) pas dështimit të aktivitetit të prokurimit të vitit 2022, Demokraci Plus ka gjetur se në aktivitetin e njëjtë të vitit 2023 NPB ka bërë disa ndryshime në dosjen e tenderit, të cilat kanë ulur numrin e ofertuesve.

Ndërmarrja publike lokale Hortikultura, sipas raportit të Demokraci Plus, ndërmarrja ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik që nuk ka plotësuar kërkesat në dosje të tenderit, rrjedhimisht ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik të papërgjegjshëm.

Në fund të këtij raporti organizata Demokraci Plus ka dhënë edhe disa rekomandime në mënyrë që të mos përsëriten shkeljet e njëjta.

Rekomandimet e Demokraci Plus janë si në vijim:

  • Autoritetet kontraktuese të respektojnë afatet ligjore siç përcakton LPP, në mënyrë që t’u mundësohet koha e nevojshme për përgatitje të dokumenteve të gjithë operatorëve ekonomikë të interesuar dhe kështu të sigurohet konkurrenca.
  • Autoritetet kontraktuese gjatë hartimit të kërkesave të sigurohen që ato kërkesa kanë relevancë me natyrën e tenderit dhe të sigurohet se me ato kërkesa nuk po limitohet numri i ofertuesve.
  • Autoritetet kontraktuese para caktimit të vlerës së parashikuar të bëjnë hulumtim të saktë të çmimeve të tregut por edhe të krahasojnë çmimet e kontratave paraprake nëse një e tillë ekziston.
  • Autoritetet kontraktuese të aplikojnë rregullat e vlerësimit të ofertave të grupit të operatorëve ekonomikë siç është përcaktuar me ligj.
  • Autoritete kontraktuese të shmangin lidhjen e kontratave nëse për të njëjtat nuk janë zotuar mjetet.
  • Autoritetet kontraktuese të kenë parasysh ndarjen e punëve dhe përgjegjësive në një aktivitet të prokurimit dhe të mos caktojnë të njëjtin person në më shumë se një pozitë në mënyrë që të shmanget çdo mundësi keqpërdorimi.

Raportin e plotë të Demokraci Plus mund ta gjeni në këtë link.