Shfaqja e dokumentarit për të pagjeturit në Pejë

‘Shpalosja e së Vërtetës’ – Në Pejë lansohet dokumentari për personat e zhdukur gjatë luftës

Në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, më 29.05.2026, para publikut është shfaqur dokumentari i realizuar nga BIRN Kosova, i cili trajton historitë e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke sjellë rrëfime të familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre.

Dokumentari sjell dëshmi mbi mizoritë e kryera gjatë luftës në zonën e Dukagjinit, ku viktimat civile u torturuan, u vranë dhe trupat e tyre u zhdukën, me qëllim që të fshiheshin gjurmët e krimeve.

Rreth 400 persona nga Peja, Klina, Istogu dhe Deçani vazhdojnë ende të jenë të zhdukur.

Pas çdo numri qëndrojnë familje që jetojnë me mungesën, pritjen dhe një dhimbje që nuk është shuar as pas më shumë se dy dekada.

Mijëra familjarë vazhdojnë të përballen me pasojat e krimeve, duke bartur traumën në përditshmërinë e tyre dhe shpesh edhe tek brezat që kanë lindur pas luftës.

Në ditët e para pas luftës, rreth 6 mijë e 500 persona figuruan si të zhdukur.

Në atë kohë, qindra njerëz ndodheshin në burgje, gjë që mbante gjallë shpresën e familjarëve për kthimin e tyre.

Shfaqja e dokumentarit është organizuar në kuadër të projektit “Shpalosja e së Vërtetës: Luftimi i Gazetarisë Monoetnike dhe Avokimi për Personat e Zhdukur në Kosovë”.

Pas shfaqjes është mbajtur një diskutim, ku u fol për sfidat institucionale në procesin e gjetjes së personave të zhdukur, mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe roli i familjarëve dhe shoqërisë civile në kërkimin e së vërtetës.

Ilir Morina nga Prokuroria Speciale tha se viteve të fundit është bërë punë e madhe lidhur me çështjen e personave të pagjetur.

“Besoj që këtyre viteve është bërë punë e madhe për personat e pagjetur”- tha Morina.

Ai theksoi se çdo informacion që qytetarët posedojnë mund të jetë i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Morina bëri të ditur se si rezultat i informacioneve të siguruara, vetëm gjatë vitit 2025 janë realizuar 24 gjetje eshterore.

“Përderisa ka ende 1 mijë e 500 persona të pagjetur, tregon që ende ka punë për t’u bërë”- tha Gara.

Ai shtoi se dokumentarë të tillë janë një formë nderimi për viktimat dhe familjet e tyre. Gara theksoi se rajoni i Pejës është një ndër zonat që kanë pësuar më së shumti viktima e persona të zdukur gjatë luftës.

“Në regjionin e Pejës kemi pasur më shumë se 2 mijë viktima të vrara dhe të zhdukura, prandaj ende ka punë për t’u bërë”- tha ai.

Gara shtoi se çështja e personave të zhdukur do të mbetet prioritet institucional deri në gjetjen e personit të fundit.

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com foli për procesin e realizimit të dokumentarëve dhe rrëfimet e familjarëve që kanë ndarë historitë e tyre.

“Këta njerëz që i kemi intervistuar pjesën më të madhe të historisë nuk ua kanë treguar as familjarëve të vet”- tha Gashi.

Ai shtoi se ajo që publiku ka parë në dokumentar është vetëm një pjesë e vogël e materialit të mbledhur.

“Ajo që kemi parë në dokumentarë është vetëm një pjesë e shkurtër. Këto intervista janë realizuar deri në katër orë”- deklaroi ai.

Shfaqja e dokumentarit në Pejë është pjesë e një serie prej tetë dokumentarësh që BIRN Kosova ka filluar t’i promovojë në tetë rajone të Kosovës, me qëllim dokumentimin e historive të personave të zhdukur dhe krijimin e një hapësire për diskutim publik dhe institucional mbi këtë plagë të hapur të shoqërisë kosovare.