Gjykimi ndaj komandantëve të UÇK-se për listat e veteranëve - 14.03.2019 - foto KALLXO....

Përkundër refuzimit të komandatëve të UÇK-së, gjykata vendos që t`u lexohet akatakuza

Në procesin gjyqësor për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së përkundër kundërshtimit të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre u vendos që të lexohet aktakuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agim Çeku, Avokati  Ramë Gashi tha se: “Për mua dhe të mbrojturin tim nuk ka nevojë fare të lexohet aktakuza, Gjykata le të vendos se si të procedojë”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokati Arianit Koci deklaroi se: “Edhe unë propozoj që të mos lexohet as aktakuza e as shtojca të gjithë e kemi pranuar aktakuzën”.

Përkundër faktit se të gjithë të pandehurit u pajtuan që aktakuza të mos lexohet, gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj tha se leximi i aktakuzës në seancën fillestare është detyrim ligjor prandaj i kërkoi Prokurorisë që të lexoj aktakuzën.

Gjykatësja Kukaj- Mekaj mori aktvendim që të lexohet e gjithë aktakuza, por në pjesën ku do të lexohet shtojca e aktakuzës ajo tha se do të largohet publiku dhe mediat me qëllim të mbrojtjes së të dhënave të cekura në shtojcë.

“Në seancën e shqyrtimit fillestar lexohet aktakuza, ashtu që do të lexohet e tëra dhe për këtë Gjykata bie aktvendim: Të lexohet aktakuza së bashku me shtojcën dhe në pjesën ku lexohet shtojca do të përjashtohet i gjithë publiku përfshirë edhe mediat përpos monitoruesve të EULEX-it dhe OSBE-së për shkak të mbrojtjes së të dhënave të cekura në shtojcë”, deklaroi gjykatësja Nushe Kukaj-Mekaj.

Në seancën e sotme mungesa e dy të akuzuarve ka bërë që trupi gjykues të veçoj lëndën për dy të akuzuarit të cilët munguan në seancën e sotme në rastin e ‘fryrjes së listave të veteranëve të UÇK-së’.

Kësaj radhe të pranishëm nuk ishin të akuzuarit Ahmet Daku e Xhavit Jashari.

Lidhur me të akuzuarin Xhavit Jashari, gjykatësja e rastit Nushe Kukaj-Mekaj, lajmëroi të pranishmit se i akuzuari ka qenë i ftuar për seancën e sotme sipas procesverbalit nga seanca e kaluar dhe se për të njëjtit person me emrin Ramiz Rama, Gjykatës i ka dorëzuar një shkresë dhe ka kërkuar takim me kryetaren e trupit gjykues, por që  ky takim asnjëherë nuk është bërë për shkak se personi në fjalë asnjëherë nuk është paraqitur në Gjykatë.

Përmes kësaj kërkese ai ka lajmëruar se i akuzuari Xhavit Jashari ka udhëtuar urgjentisht për shtetin e Austrisë për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore së një familjari.

Lidhur me këtë informacion, Gjykata ka kërkuar informata shtesë nga Aeroporti i Prishtinës me ç’rast është vërtetuar se i akuzuari ka udhëtuar jashtë vendit.

Lidhur me këto mungesa të cilat Gjykata i ka cilësuar si të pa arsyeshme, gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj ka kërkuar pëlqimin e palëve për veçimin e procedurës penale ndaj të pandehurve të cilët mungojnë.

Të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre e kundërshtuan propozimin që të veçohet procedura penale.

“Në rastin e cekur kemi të bëjmë me veprën penale në bashkëkryerje dhe meqë të pandehurit kanë qenë të njoftuar për datën e mbajtjes së seancës gjyqësore atëherë kërkoj që Gjykata të veproj në bazë të kodit të procedurës penale që të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe jo të veçohet procedura penale”, tha prokurori Valdet Gashi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agim Ceku, avokati Ramë Gashi tha se: “Edhe në fjalën e juaj thatë se është një lëndë që ka më shumë persona të akuzuar pra gjithsej 12, të gjithë ne që merremi me këtë punë e dimë që në raste të tilla paraqiten komplikime procedurale janë të pritura dhe nuk është çudi, nuk është kjo lënda e parë që paraqiten këto vështirësi. Si mbrojtës në këtë çështje penale dua të përcjell bindjen time të Gjykatës se nga pikëpamja e mbrojtjes këto vështirësi në masë të madhe edhe janë të arsyetuara. Pra është e arsyetuar sipas mbrojtjes edhe mungesa në seancën e kaluar por edhe për seancën e sotme. Ne sot dëgjuam se njëri nga dy të akuzuarit që mungon në seancën e sotme në bazë të shënimeve të verifikuara nuk qenka prezent në vend dhe se Gjykatën e paska njoftuar për mungesën e tij. Besoj se kjo duhet të vlerësohet nga Gjykata dhe dua të them me plotë bindje se nuk kemi një bindje të zakonshme që duhet të shprehim nguti në këtë lëndë nuk kërcënohet ndonjë ndryshim ligjor, parashkrimi apo diçka tjetër”.

Avokati Gashi tha se një prej të drejtave bazike si e drejt ligjore dhe si e drejtë e paraparë me kodin e procedurës penale është që i pandehuri kush do qoftë ai në seancë duhet të marrë pjesë kur mundet dhe është në gjendje të mirë kondicionale. “Veprimin e prokurorit e konsideroj të ngutshëm dhe të pabazuar për veprimin e Gjykatës në rastin konkret kjo për arsye se së paku për njërin nga të akuzuarit që sot mungon kemi arsye të besueshme se mungesa është me arsye”, tha avokati i të akuzuarit Agim Çeku, Ramë Gashi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokati Arianit Koci tha se: “Nëse dikush ka interes që ky gjykim me përfundu sa më shpejtë janë vetë të akuzuarit. Secili prej tyre e di se janë të pafajshëm e nëse dikush e ka zvarritë këtë proces është prokuroria me ato aktakuza të përmirësuara, e kundërshtoj fuqishëm këtë masë”.

Pas marrjes së pëlqimit të palëve, Gjykata konsideroi se janë plotësuar kushtet ligjore për veçimin e procedurës penale.

“Marrë parasysh se kemi të bëjmë me një numër të madh të të pandehurve, për shkak se kemi shumë të akuzuar dhe me qëllim që të mos prolongohet kjo çështje penale marrë aktvendim që të veçohet procedura penale ndaj Xhavit Jasharit dhe Ahmet Dakut”, deklaroi gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj.