Marti Ahtisaari - Karriera diplomatike dhe ndikimi i tij në negociatat për statusin e Kosovës

Të hënën e 16 tetorit ndërroi jetë ish i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Athisaari.

Ahtisaari vdiq në moshën 86 vjeçare në Helsinki të Finlandës. Ai u lind më 23 qershor 1937.

Martti Ahtisaari u caktua si i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës në nëntor të vitit 2005 nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së gjatë asaj kohe, Kofi Annan.

Ahtisaari mbante negociatat mes Kosovës dhe Serbisë në Vienë të Austrisë.

Pakoja e Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës parashihte pavarësinë e Kosovës, të mbikëqyrur nga ndërkombëtarët.

Në korrik të vitit 2007, Ahtisaari u tërhoq nga misioni i tij për statusin e Kosovës, pasi që Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia u dakorduan për format të ri të negociatave.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Ahtisaari u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2008, për kontributin e tij të gjatë në ndërmjetësimin e paqes.

Në një intervistë për CNN pas fitimit të Çmimit Nobel për Paqe Ahtisaari pati thënë se njerëzit kishin pritshmëri të gabuar se përmes negociatave mes Kosovës dhe Serbisë do të gjendej një kompromis mes palësh.

Në negociata duhet të bësh atë që është e drejtë. Mbeti vetëm një zgjidhje, dhe të gjithë: Beogradi, Prishtina, serbët e Kosovës e dinin nga pjesa e parë e vitit 2006 se pesë anëtarët e Grupit të Kontaktit, të gjithë anëtarët perëndimor u thanë të dyjave (Kosovës dhe Serbisë) dhe serbëve të Kosovës këtë: Shfuqizimi jo kushtetues i autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe ngjarjet tragjike që përcollën atë që rezultuan në administrimin ndërkombëtar të Kosovës kanë sjell situatën që kthimi i Kosovës nën sundimin e Beogradit nuk është opsion i zbatueshëm. Të gjithë e dinin që pavarësia po vinte por kryeministri Koshtunica dhe njerëzit e tij silleshin sikur nuk e kanë dëgjuar se çka u është thënë“, deklaroi Ahtisaari për CNN.

Pasi që gazetari e përballi Ahtisaarin me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku premtohej se Jugosllavia nuk do të ndahej asnjëherë, ish diplomati finlandez u përgjigj duke thënë se diktatorët si Millosheviqi, kur sillen si ky i fundit me shqiptarët e Kosovës nuk kanë të drejtë t’i kontrollojnë më.

Në vitin 2005, Asambleja e Përgjithshme pranoi parimin “përgjegjësi për të mbrojtur”. “Nëse një pushtet diktatorial në cilindo vend, sillet si Millosheviqi me shqiptarët në Kosovë, e humbin të drejtën për t’i kontrolluar më dhe kjo është e gjitha“, pati deklaruar Ahtisaari.

Ahtisaari ushtroi rolin e presidentit të Finlandës gjatë viteve 1994-2000, kurse nga viti 2005 punoi në negociatat për statusin e Kosovës.

Që nga viti 1965 ai iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës.

Para se të ushtronte pozitën e Presidentit të Finlandës, Ahtisaari ishte ambasador i këtij shteti në Tanzani përgjatë viteve 1973-1977 teksa gjatë viteve 1977-1981 ushtroi pozitën e Komisionerit të Kombeve të Bashkuara pë Namibinë ku punoi për të siguruar pavarësinë e këtij shteti nga Republika e Afrikës së Jugut.

Përgjatë viteve 1987-1991 ai ushtroi pozitën e numrit tre në Kombet e Bashkuara, atë të Nënsekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Nga viti 1991, Ahtisaari shërbeu si Sekretar Shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës.

Nga fillimi i shtatorit 1992 deri më 15 prill 1993, Ahtisaari ishte Kryetar i Grupit Punues të Bosnje-Hercegovinës të Konferencës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Duke filluar nga 1 korriku 1993, për një periudhë katër mujore, Ahtisaari shërbeu si Këshilltar i Posaçëm i Konferencës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe i Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për ish-Jugosllavinë.

Pas kryerjes së detyrës së tij si president i Finalandës, Ahtisaari ishte kryetar i Këshillit Drejtues të Ndërpaqes nga viti 2000 deri në vitin 2009. Që nga viti 2009, Ahtisaari ka qenë Kryetar Emeritus dhe Këshilltar Special.

Në 2021-tën, Ahtisaari hoqi dorë nga të gjitha aktivitetet publike për shkak të sëmundjes së Alzheimerit.

Ahtisaari ishte i martuar dhe kishte një djalë.

Figura e Martti Ahtisaarit në Kosovë dhe impakti i tij në Negociatat për Statusin

Agim Çeku, i cili u zgjodh kryeministër i Kosovës më 10 mars 2006 në kohën sa Ahtisaari punoi si i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, kujton Ahtisaarin si mik të Kosovës.

Çeku rrëfeu për takimin e parë që pati me Ahtisaarin sapo u emërua si kryeministër i Kosovës.

Ka ndihmu që krejt bota ta kuptojë që e vetmja zgjidhje është pavarësia e Kosovës. Kam pas shumë takime me të, më kujtohet takimi i parë, posa e mora pozitën e kryeministrit. Takimi i parë ka qenë në Bruksel, ai ka kërku që të ndalem në Vienë dhe e kemi pas një takim privat me të në ambasadën Finlandeze në Vienë. Që në takimin e parë më ka thënë se nuk ka dilemë statusi, nuk jemi kah e mendojmë fare se cili do të jetë statusi por jemi duke e bisedu përmbajtjen e pakos që dispozitat kushtetuese që do i propozojmë të jenë të pranueshme për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara edhe për Kosovën që mos të dëmtohet funksionaliteti i shtetit”, rrëfen Çeku.

Ahtisaari padyshim që është pjesë e historisë tonë më të re. Ka pas impakt të jashtëzakonshëm, është pjesë e historisë sonë e pavarësisë sonë”, deklaroi Çeku për Kallxo.com.

Çeku shton se Ahtisaarin e kujton si njeri të qetë dhe të vendosur e me vizion të qartë se çfarë dëshiron të arrij me procesin e tij.

Në takime linte të kuptojmë që po e mban anën e pavarësisë. Më ka lënë shumë përshtypje se si paraqitej në takime zyrtare e që na linte neve të mirremi vesh, kinse ai nuk ka ide të veta. Ka qenë një shkollë e vërtetë që të bashkëpunosh me të dhe të kesh takime me të”, shtoi Çeku.

Ndikim sipas Çeku, Ahtisaari pati edhe në numrin e njohjeve që mori Kosova si shtet i pavarur.

Ahtisaari ka bërë që ne të kemi kaq shumë njohje sepse bota e ka pranu propozimin e tij dhe ka pas një mbështetje të fuqishme që Kosova të bëhet shtet i pavarur me pakon e Ahtisaarit. Ahtisaari nuk ka qenë vetëm i angazhuar në bisedime mes neve dhe Serbisë por ka qenë i angazhuar edhe në kryeqendrat botërore duke ua spjegu zgjidhjen e vetme dhe duke kërku mbështetje nga shtete të ndryshme dhe këtë mbështetje e ka pas nga shtetet më të fuqishme të botës”, përfundoi Çeku.

Edhe presidenti i Kosovës në periudhën 2006-2010 Fatmir Sejdiu ka shkruar për vdekjen e diplomatit finanlandez.

Ai u shprehu ngushëllime familjes, popullit finlandez por edhe Kosovës.

Presidenti Sejdiu thotë se Ahtisaari ishte i qartë, i prerë dhe pa dilemë edhe kur takohej me Milleshiviqin dhe i thonte se “duhet të heqë dorë nga dhuna dhe terrori në Kosovë, në të kundërtën do të bartë pasoja të rënda ai dhe vendi i tij“.

Kam shumë kujtime nga takimet me presidentin Ahtisaari, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, diplomatin, që luajti rol kyç në procesin e bisedimeve në Vjenë. Këto bisedime  hapën rrugën për shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, më 17 shkurt 2008. Janë të paharrueshme bisedimet e Vjenës 2006-2007 dhe veçmas takimet me Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, laureatin e shumë shpërblimeve dhe të dekoratave në mesin e të cilave edhe të Çmimit Nobel për Paqe, Presidentin e Finlandës Martti Ahtisaari“, shkruan Sejdiu.

Sejdiu shkroi edhe për kujtimet e tij rreth takimit me Ahtisaarin kur po bëheshin përgatitjet për rifillimin e bisedimeve.

“Përveç bisedës për temën bosht, pra bisedimet lidhur me statusin politik të Kosovës, për të cilën pa fije dyshimi e besoja se është thellësisht dhe shumë sinqerisht i angazhuar, presidenti Ahtisaari  m’u drejtua hapur, përafërsisht më këto fjalë: “ Z. President, unë e kam pranuar këtë angazhim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së me përkushtimin më të madh, andaj edhe nuk kam kohë për të humbur. Qëllimi im është që të përfundojmë këtë proces si duhet”. Me fjalë të tjera, mesazhi i tij ishte që të shpejtohet procesi i bisedimeve, për çka realisht edhe ne ishim të interesuar”, shkruan Sejdiu.

Pas përfundimit të takimit, e përcolla deri në dalje të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Ai mu drejtua: “Jam i bindur se edhe ju do t’ia dilni…”.  Ishte kjo një mbështetje e madhe për popullin dhe vendin që kish hyrë dhe po bënte hapat final për pavarësinë“, shtoi presidenti Sejdiu në letrën e tij.

Për ndarjen nga jeta të Ahtisaari ka shkruar edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani duke e konsideruar atë si një figurë madhështore globale.

Osmani potencoi se Ahtisaari skaliti kornizën e shtetit tonë dhe se emri i tij do mbetet në historinë e Kosovës.

Sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari. Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë! Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës. Paqebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës!”- është shprehur Presidentja Osmani.