Grafika: Trembelat për KALLXO.com

Përballja në gjyq për ndarjen e pronës së trashëguar mes motrës dhe vëllait

Gjykimi për vërtetim të së drejtës pronësore

Në gjykatën Themelore të Mitrovicës është mbajtur seanca në rastin e kontestit ndërmjet motrës dhe vëllait për vërtetimit e pronësisë së lënë nga babai i ndjerë.

Sipas padisë i ndjeri J.D., para vdekjes së tij kishte lidhur kontratën për dhuratë lidhur me paluajtshmërinë me sipërfaqe prej 448 metra katror, që gjendet në komunën e Mitrovicës.

J.D., përmes kësaj kontrate këtë pronë ia kishte dhuruar V.D. –së (djalit të tij).

Kurse përmes kërkesëpadisë N.I. (motra e të lartëcekurit) kërkon që t`i njihet ¼ e pjesës së pronës e cila përbëhet prej paluajtshmërisë me sipërfaqe prej 448 metra katror.

Ajo (N. I.) poashtu kërkon që t`i lejohet e drejta që këtë paluajtshmëri ta regjistrojë në emrin e saj, në regjistrin e të drejtave të pronës se paluajtshme pranë Zyrës Komunale të Kadastrit në Mitrovicë.

Në seancën e mbajtur përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Agim Lushta, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe parashtresës mbi kërkesën e padisë, duke i propozuar gjykatës së meqenëse palët të cilët ishin dashur të prezantonin në seancë si dëshmitarë nuk ishin prezent për shkak të një rasti të vdekjes, të dëgjohej paditësja në cilësi të palës, e njëjta prezantonte në seancë.

Kurse i autorizuari i palës paditëse, avokati Xhafer Maliqi deklaroi se mbetet në tërësi pranë kërkesës së precizuar, kurse lidhur me kërkesën e paditëses që kontrata mbi dhuratën të shpallej e pavlefshme, apo që nuk prodhon efekt juridik, vetë avokati deklaroi se sipas tij kjo kontratë është e ligjshme, dhe se nuk ishin përmbushur kushtet e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të Kosovës dhe neneve që i referohen kushteve të veçanta të kontratës mbi dhurimin.

Gjithashtu, Maliqi theksoi se kjo kontratë ishte e plotëfuqishme, sepse ishte lidhur gjatë kohës kur J.D., babai i paditëses N.I. dhe të paditurit V.D. kishte qenë gjallë, ndërsa kishte kaluar një vit dhe as dhuratëdhënësi e as paditësja nuk e kishte denoncuar.

Pas kësaj i autorizuari i paditëses, avokati Agim Lushta propozoi që seanca të shtyhet në mënyrë që pala paditëse të deklarohet në prani të paditurit, e po ashtu për seancën e ardhshme të ftohjet dëshmitari U. G..

Meqenëse ky propozim nuk u kundërshtua nga përfaqësuesi i palës së paditur Xhafer Maliqi, gjyqtari Naim Meholli me aktvendim aprovoi propozimin që të shtyhet seanca.

Në seancën e radhës pritet të dëshmojnë palët ndërgjyqëse në cilësi të palëve dhe dëshmitari U.G..

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me datën 10 korrik, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës – Departamenti Civil.