Studimi: Një organ trupor tek gratë është më i gjatë se tek meshkujt

Shkencëtarët kanë zbuluar se zorrët e vogla të grave janë më të gjata se ato të burrave dhe se kjo tepricë ndoshta i ndihmon ato ta absorbojnë më mirë yndyrën dhe lëndët e tjera ushqyese të nevojshme gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji.

Në zorrën e hollë, gjithçka ka të bëjë me përthithjen. Këtu mirret shumica dërrmuese e lëndëve ushqyese nga gjithçka që konsumohet, thotë Amanda Hale nga Universiteti Shtetëror i Karolinës së Veriut. Ajo shton se njohja më e mirë e dallimeve individuale anatomike mund të ndihmojë në marrjen e vendimeve të informuara në kujdesin shëndetësor.

Ekziston një lloj përqasjeje e përqendruar në atë që është mesatare ose ajo që e përjetojnë shumica e njerëzve. Me mjekësinë e individualizuar, mund të shihni nëse një person ka karakteristika specifike të sistemit të tyre të tretjes që mund të kontribuojnë në atë që po ndodh dhe që nuk kënaqin status quo-në, thekson Hale.

Hulumtimi përmes kufomave të dhuruara

E shqetësuar se ndryshimet e rëndësishme mund të mos zbulohen, Hale dhe kolegët e saj i matën organet tretëse të 21 kufomave të dhuruara femra dhe 24 meshkuj të rritur. Ata zbuluan se, mesatarisht, zorrët e holla të kufomave meshkuj ishin pak më të mëdha se 4 metra, ndërsa ato të grave ishin 30 centimetra më të gjata. Analiza statistikore sugjeron se ky ndryshim nuk është një gjetje e rastësishme.

Nëse zorrët e vogla të grave janë më të gjata dhe kanë më shumë sipërfaqe, kjo do të thotë se ato mund të përfitojnë më shumë nga gjithçka që hanë. Mund të lidhet me riprodhimin dhe ka shumë të ngjarë, beson Hale.

Studimi, i cili u botua në revistën shkencore PeerJ, përbëhej nga një numër relativisht i vogël subjektesh, mirëpo studiuesit thonë se kjo mund të forcojë gjetjet e tyre. Këtu vlen të theksohet se variacione të tilla kemi gjetur, edhe pse kemi matur vetëm 45 kufoma njerëzore, shkruajnë autorët e saj.

Pyetje pa përgjigje

Megjithatë, ky ndryshim anatomik ndoshta nuk e jep një shpjegim të plotë se pse disa probleme gastrointestinale janë më të zakonshme në një gjini sesa në tjetrin. Për shembull, Temple Health në Pensilvani thekson të dhënat se gratë kanë më shumë gjasa ta zhvillojnë sëmundjen e Crohn (inflamacion i çdo pjese të sistemit tretës, nga goja deri në anus), por burrat kanë më shumë gjasa të kenë kolit ulceroz (inflamacion i zorrës së trashë, nga zorra e trashë në anus).

Dallimet e lidhura me gjininë në sistemin tonë imunitar dhe gjenetikë ka të ngjarë të luajnë një rol të rëndësishëm në këto kushte, thotë Erin McKenney, gjithashtu nga Universiteti Shtetëror i Karolinës së Veriut.

Zbulohen edhe dallime të tjera individuale

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se gjatësia e organeve të tjera ndryshonte midis kufomave të dhuruara, por kishte më pak një sinjal të qartë në ndryshimin midis dy gjinive. Për shembull, gjatësia e fshikëzës së tëmthit të kufomave varionte nga 5,5 deri në 12,5 centimetra, ndërsa gjatësia e apendiksit të tyre varionte nga 1,4 deri në 12,7 centimetra.

Në përgjithësi, gjatësia e organeve nuk lidhej me lartësinë e kufomave, e cila varionte nga 149 deri në 184 centimetra, as me madhësinë e organeve të tjera të tyre.

Në përgjithësi, studimi e tregon rëndësinë e marrjes parasysh të anatomisë unike të njerëzve gjatë diagnostikimit dhe trajtimit, shkruajnë autorët e studimit./New Scientist

Përgatiti: Nuhi Shala