ARKIV - Votimet në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale - Foto: Atdhe Mulla

‘Politikë burrash’ – Asnjë gruaje nuk iu besua kandidimi deri më tani për kryetare të Komunës

Partitë politike në Kosovë kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale të 17 tetorit të këtij viti, derisa disa prej tyre kanë zyrtarizuar kandidaturat për kryetarë të komunave.

Ndonëse rekordin për njeriun më të votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë e mban një grua, deri më tani të gjitha kandidaturat e publikuara përbëhen vetëm prej burrave.

Asnjë parti politike në Kosovë deri më tani nuk ka zyrtarizuar kandidimin e një gruaje për kryetare të komunës.

Disa prej subjekteve më të mëdha politike në vend nuk kanë dhënë përgjigje konkrete se sa gra do të kandidohen në zgjedhje për kryetare nga radhët e tyre.

Në gjithë historinë e pasluftës në Kosovë, vetëm një grua kishte qeverisë më komunë, derisa kandidaturat kanë qenë shumë të vogla në raport me burrat.

Mimoza Kusari Lila kishte qenë kryetare e Komunës së Gjakovës në mandatin 2013-2017.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë dy partitë që deri më tani kanë zyrtarizuar numrin më të madh të kandidaturave për të parët e komunave përkatëse.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ende nuk i ka bërë publik emrat e kandidatëve për kryetarë komunash. Ky subjekt politik të enjten e kësaj jave ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët, duke i njoftuar që mund të paraqesin deklaratën e kandidaturës nga data 1 deri më 3 korrik.

Për kandidimin e grave në këtë proces, sekretari për media në LVV, Arlind Manxhuka ka thënë për KALLXO.com se synojnë të kenë përfaqësim të lartë të grave në nivel lokal.

“Si institucionet qendrore, në Kuvend ku të gjitha 21 gratë deputete të grupit tonë parlamentar kanë hyrë pa kuotën gjinore, por edhe në Qeveri me ç’rast 1/3 e kabinetit janë gra, gjithë jemi angazhuar si subjekt që të rrisim nivelin e përfaqësimit gjinor me synim barazinë ndër të tjera edhe në institucione. Të njëjtin parim dhe synim do ta kemi edhe për përfaqësimin në nivel lokal”, tha Manxhuka për KALXLO.com.

Ai shtoi se LVV i inkurajon gratë dhe vajzat që t’i hyjnë garës së brendshme në parti në mënyrë që të marrin besimin për të qenë kandidate për kryetare.

“Andaj përpjekja, por edhe inkurajimi është i tillë që të nxisë sa më shumë gra e vajza të kandidohen e të garojnë kudo që janë dhe më pas të votohen në përputhje me statutin dhe demokracinë e brendshme”, tha në mes tjerash Manxhuka.

Që prej sot, Partia Demokratike e Kosovës ka Memli Krasniqin kryetar. Pas zgjedhjes, Krasniqi u shpreh që reformat dhe puna në PDK nis nga tash.

Nga PDK deri tani kanë deklaruar se do t’i kandidojnë kryetarët aktual, ndërsa për komunat e tjera janë duke punuar.

Nuk dihet nëse me ardhjen e Krasniqit, PDK mund të shtyjë përpara idenë e kandidimit sa më të shumtë të grave.

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza në një përgjigje për KALLXO.com tha se PDK do të synojë të rrit numrin e grave që do t’i kandidojnë për kryetare të komunave.

“Unë por edhe të tjerët jemi të interesuar që të kemi kandidate femra për kryetare të komunave, e kemi bërë këtë edhe në zgjedhjet e kaluara. Sigurisht se numri nuk ka qenë ai që duhet të jetë dhe që ne dëshirojmë të jetë, besoj që numri do të rritet”, tha Hamza në konferencën e së premtës, pas pyetjes së KALLXO.com.

Reformat që pritet ta bëjë PDK me udhëheqësinë e re, LDK i ka nisur që një kohë. Kjo parti në mars të këtij viti zgjedhi Lumir Abdixhikun kryetar. Ky i fundit ndërroi një numër të madh të anëtarëve të kryesisë, duke ofruar kështu njerëz të ri.

Deri më tani LDK ka zyrtarizuar 8 kandidatë për kryetarë të komunave, por asnjë nga ta nuk është grua.

Nga LDK nuk kanë treguar se cili është synimi i tyre i saktë për kandidimin e grave.

Duke iu përgjigjur pyetjes së KALLXO.com në lidhje me këtë çështje, zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi tha të mërkurën e kësaj jave, se janë entuziastë për përzgjedhjen e kandidaturave të deritanishme.

“Sa i përket çështjes së perspektivës gjinore është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse ne do të përpiqemi që kjo perspektivë të jetë pjesë përbërëse e të gjitha programeve që do të konkurrojmë në zgjedhjet lokale”, tha ajo në konferencë për media të mërkurën në Prishtinë.

Halimi shtoi se gratë do të jenë pjesë pothuajse 50 për qind e përfshirjes së tyre në asambletë komunale.

“Kështu që do të jetë po ashtu edhe një proces i gjerë edhe diskutimesh me qytetarët se çfarë në të vërtetë kërkojnë edhe në program dhe përfshirjen  shumë kategorive të tjera shoqërore. Për këtë çështje do të diskutojmë në takimet e ardhshme”, shtoi ajo.

LDK-ja deri më tani i ka zyrtarizuar 8 kandidatë burra për në garën për kryetar komunash.

Ndërsa në AAK thonë se kjo është përgjegjësi e degëve në Komuna dhe jo e kryesisë qendrore të partisë.

zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lulëzim Blaka se kryesia qendrore e AAK vetëm i miraton formalisht propozimet e degëve lokale.

“Ne inkurajojmë që sa më shumë gra të kandidojnë për kuvendet komunale dhe për pozitën e kryetarit të komunës, por se sa do të jetë numri i tyre, varet prej vendimeve që merren nga degët e partisë”, tha Blakaj për KALXLO.com.

“AAK-ja është shumë më e avancuar se partitë e tjera për përfshirje të grave në vendimmarrje dhe politik bërje brenda partisë”, shtoi ai.

Degët e AAK-së në Podujevë dhe Kaçanik janë të udhëequra nga gratë, e kjo për Blakajn është një tregues se qendrojnë më mirë se partitë e tjera.

“Dy degë të Aleancës udhëhiqen nga kryetare (Podujevë dhe Kaçanik), në Suharekë kemi një nënkryetare të komunës, e është mjaft i madh numri i drejtorive që udhëhiqen nga femrat. Në Këshillin Drejtues të partisë, rreth 40% të anëtarëve janë femra, të cilat janë zgjedhur nga Kuvendi”, tha Blakaj për KALLXO.com

“Nuk pretendojmë të themi që është i mjaftueshëm ky përfaqësim, por është tregues se gratë kanë hapësirë vepruese të mjaftueshme në Aleancë”, tha Blakaj.

AAK-ja deri më tani ka zyrtarizuar 15 kandidatura për kryetarë, dhe të gjithë janë burra.

Ndryshe nga niveli lokal, nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti, 44 gra arritën që të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës, i cili përbëhet nga 120 deputetë.

Ky është numri më i madh i grave që ka pasur legjislativi kosovar ndonjëherë.

Personi më i votuar në historinë parlamentare të Kosovës ishte Vjosa Osmani që në zgjedhjet e fundit kishte marrë mbi 300 mijë vota.