Vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi - Foto: KALLXO.com

MPJ e Rusisë: Kosova ‘Po Fsheh Diçka’ në Hetimet për Vrasjen e Ivanoviqit

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, akuzoi autoritetet kosovare se “po fshehin diçka” në hetimet për vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Zëdhënësja e MPJ-së ruse kërkoi që të lejohen autoritetet serbe që t’i bashkohen ekipit hetues duke thënë se “kërkesat e Beogradit po injorohen”.

“Rezultatet e hetimit në vrasjen e politikanit kryesor të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, nuk po shihen gjëkundi, ndërsa kërkesat e Beogradit për përpjekje të përbashkëta janë duke u injoruar. Dikush e ka përshtypjen se Prishtina dhe sponsorët e saj kanë diçka për të fshehur”, tha zëdhënësja e MPJ-së së Rusisë, Maria Zakharova.

Ivanoviq u vra para selisë së partisë së tij në Mitrovicë të veriut më 16 janar.