Milionat Nuk i Japin Fund Dilemës për Ujin në Klinë

Adnan Bekaj thotë se që nga paslufta nuk ka provuar të pijë ujët të cilin gypat e ujësjellësit ia sjellin në shtëpi.

Adnani është vetëm një nga shumë banorë të Klinës të cilët flejnë e zgjohen me dilemën “pihet apo nuk pihet uji në Klinë”.

Dilema e klinasve nuk është zgjidhur as kur vitin e kaluar u përurua një fabrikë e ujit.

Askush zyrtarisht nuk u ka thënë atyre se uji është i pijshëm apo të kundërtën e asaj.

KALLXO.com në gusht të viti të kaluar kishte raportuar për hapjen e fabrikës së re të ujit në Klinë dhe investimin rreth dy milionësh në ketë projekt të financuar nga Komuna e Klinës dhe Qeveria e Kosovës.

http://kallxo.com/neper-gypat-e-ujesjellesit-te-klines-fillon-te-rrjedhe-uji-moti-i-premtuar/

Por Adnani, ujin që e përdor për pije e blen.

“Prej pasluftës ujët në qytetin e Klinës nuk pihet, nuk është i pijshëm. Ujët të cilët ne e përdorim për pije zakonisht e blejmë” tha Bekaj për KALLXO.com.

Siç thotë Bekaj, banorët e Klinës nuk do ta përdorin për pije ujin e ardhur nga gypat e ujësjellësit “Hidrodrini”, derisa Institutit i Shëndetit Publik të dalë zyrtarisht me deklaratë së uji është i pijshëm. 

“Është traditë që mos të pihet ujët e ujësjellësit, derisa të vërtetohet shumë saktë dhe del Instituti i Shëndetit Publik me komunikatë që uji është i pijshëm”, thotë ai.

Autoritetet komunale dhe udhëheqësit e ujësjellësit në Klinë, vazhdimisht thonë së uji i Klinës është i pijshëm, madje edhe më i pastër së uji në “bunarë”.

Kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota, në emisionin “Jeta në Komunë” kur u pyet për këtë çështje, tha se fabrika e ujit është e ndërtuar sipas standardeve moderne.

“Fabrika e ujit të pijshëm i plotëson të gjitha standardet në të cilat oshtë edhe tenderuar”, kishte thënë Bashota.

Ai nuk përjashtonte mundësinë që uji të ndotet si pasojë e gypave të vjetëruar, por shtoi se i ka analizat e Institutit të Shëndetit Publik të vitit 2015 për ujin e Klinës, që sipas tij ka dal të jetë “shumë cilësor”.

Kurse Halil Berisha, menaxheri i ujësjellësit “Hidrodrini” në Klinë, në po të njëjtin debat kishte thënë se analizat e IShP-së i ka vetëm deri në vitin 2014, kurse për 2015, sipas tij ,  ky Instituti ka ndërprerë bashkëpunimin me ujësjellësin.

“Fatkeqësisht prej 1 janarit 2015, IShP i ka shkëputë të gjitha marrëdhëniet me kompani të ujësjellësve. Tash donë me mbetë Institut i pavarur, secila kompani e ujësjellësit e ka obligim me ndërtu laboratorin për mostra”, tha Berisha.

Por njohësi i çështjeve të mjedisit, Fabian Techene, i cioli për disa vjet ka punuar në mbrojtje të ujërave në Francë, thotë se problemi i ujit të pijes në Klinë duhet të trajtohet nga burimi i tij.

“Për ta zgjidhur problemin e cilësisë së ujit në Klinë, së pari duhet gjetur origjinën e problemit e kjo nënkupton se duhet të punohet në analizat nga uji i lumit dhe më pastaj marrjen dhe përmirësimin e cilësisë së ujit nga burimi në Jarinë”, u shpreh Techene për KALLXO.com.

Burim Kotorri, doktor i ekologjisë humane në Institutin e Shëndetit Publik në Pejë, tha për KALLXO.com se gjatë vitit 2015, ky institut ka marrë 165 mostra të ujit për pije në rajonin e Klinë.

Rezultatet duken shqetësuese.

“Duke filluar nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2015, në përgjithësi prej 165 mostrave të cilat janë marrë në analizë, 86 prej këtyre mostrave tregojnë një jo përputhshmëri me standardet të cilët e tregojnë  që uji është i pijshëm. 86 prej tyre ose 52% të mostrave të marra janë jo në përputhshmëri të plotë me standardet të cilat duhet t’i plotësojë uji për pije”, tha Kotorri për KALLLXO.com .

Sipas tij, rezultatet e cilësisë së ujit në vitin 2015 reflektojnë që pirja e këtij uji paraqet rrezik për shëndetin e njeriut.

“Uji nuk guxon, nuk duhet as nuk tolerohet me pasë asnjë kontaminim bakterialigjik. Faktikisht nuk duhet me pas asnjë kontaminim me bakterie”, tha Kotorri.