Vrasja e dhëndrit në Bardhaniq të Gjakovës, 27 vite burgim për mikun nga Shqipëria

 

Col Imeraj, nga fshati Geghysen në Tropojë – Republika e Shqipërisë, i akuzuar për veprat penale vrasje e rëndë, vrasje në tentativë dhe lëndim i lehtë trupor, u dënua me dënim unik prej 27 viteve, nga gjykatësi Drilon Haraçia.

Imeraj për vrasje të rëndë u dënua me 23 vite, për vrasje në tentativë 4 vite e 6 muaj dhe për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim, dënime këto që u unifikuan në 27 vite burgim.

Në këtë rast, mbrojtësi i të akuzuarit Col Imeraj, avokati Meshari Selimaj kishte kërkuar përjashtimin e gjykatës së Gjakovës.

Imeraj, kishte pranuar fajësinë.

Aktakuza ndaj tij u ngrit më 31 mars 2021.

Pretendohet se këto veprime, Imeraj i ka kryer ndaj kushërirës së tij, burrit dhe djalit të tij.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ali Uka, në muajin korrik të vitit 2020, në fshatin Bardhaniq të komunës së Gjakovës, Col Imeraj me dashje ka privuar nga jeta Ndue Mulaj, në shtëpinë e tij.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, thuhet se përderisa i ndjeri Ndue Mulaj 60 vjeçar ishte në dhomën e tij të gjumit, Imeraj me një thikë e çekan hekuri, hap derën e dhomës dhe e godet disa herë me thikë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, për të cilat veprime i vihet në barrë akuza e vrasjes së rëndë.

Në akuzë thuhet se në dhomën e gjumit kishte qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit Diturie Mulaj, e që ishte kushërira e tani të akuzuarit Col Imeraj, ku i njëjti kushërirën e tij e kishte goditur me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë, me çka akuzohet për lëndim të lehtë trupor.

Aktakuza thotë se përveç kësaj, i njëjti shkon edhe në dhomën tjetër, ku prezent ka qenë djali i viktimës Mark Mulaj, duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, e duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat veprime ngarkohet me veprën e vrasjes në tentativë.

Ky i fundit kishte qenë në dhomë me të vëllanë e tij të mitur D. M.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori, Col Imeraj kishte pretenduar se Ndue Mulaj i kishte dhënë ekstazi (drogë), në një gotë me ujë dhe se të njëjtën e kishte detyruar që ta pijë.

Ai kishte mohuar se kishte ndonjë konflikt më familjen Mulaj, por i njëjti pasi që Diturie Mulajn e kishte vajzë të dajës së babait të tij, ai kishte qëndruar 2-3 ditë tek shtëpia e saj në mënyrë që të kontrollohej tek mjeku i veshkave.

Gjatë deklaratës së tij të dhënë në Prokurori, ai kishte thënë që gjatë ditës i kishte ndihmuar Ndue Mulaj në bartjen e sonës (barit të kafshëve).

Imeraj kishte thënë që pas pirjes së gotës më ujë e kishte humbur kontrollin, e pas asaj i njëjti kishte thënë që kishte pirë lëng hashashi, duke mos e ditur se i kujt ka qenë.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.