Gjakovë - Aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë për vrasjen dhëndrrit

Në muajin korrik të vitit 2020, KALLXO.com kishte raportuar për caktimin e paraburgimit ndaj Col Imerajt, nën dyshimin se i njëjti kishte kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe dy vepra të vrasjes në tentativë.

Prokuroria e Gjakovës përmes një komunikate ka njoftuar se ndaj Col Imerajt është ngritur akuza për shkak të veprave penale “vrasje e rëndë”, “vrasje në tentativë” dhe “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas aktakuzës, në muajin korrik të vitit 2020, në fshatin Bardhaniq të komunës së Gjakovës, Col Imeraj me dashje ka privuar nga jeta N. M., në shtëpinë e tij.

Njoftimi i Prokurorisë thotë se në aktakuzë pretendohet se përderisa i ndjeri ishte në dhomën e tij të gjumit, Imeraj me një thikë e çekan hekuri, hap derën e dhomës dhe  e godet disa herë me thikë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, për të cilat veprime i vihet në barrë akuza e vrasjes së rëndë.

Sipas Prokurorisë, në dhomën e gjumit kishte qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit D. M., e që ishte kushërira e tani të akuzuarit Col Imeraj, ku i njëjti po atë moment kushërirën e tij e kishte goditur me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë, me çka akuzohet për lëndim të lehtë trupor.

Prokuroria thotë se përveç kësaj i njëjti shkon edhe në dhomën tjetër, ku prezent ka qenë djali i viktimës M. M., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, e duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat veprime ngarkohet me veprën e vrasjes në tentativë.

Për këto veprime, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës së Gjakovës, që Col Imeraj të dënohet sipas ligjit.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë rast.

Tragjedi në Gjakovë: Dyshime se familjari nga dajallarët e plagosi nipin dhe i vrau babain